Kreditë për banim dhe ato hipotekare do të shlyhen në një periudhë më të shkurtër. Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të ulë afatin maksimal për kreditë e banimit nga 30 në 25 vjet, ndërsa për kreditë konsumatore me hipotekë afati shkurtohet nga 20 në 15 vjet. Qytetarët thonë se masa mund të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin familjar. Sipas tyre, një afat më i shkurtër nënkupton këste më të larta mujore, por edhe një periudhë më të shkurtër borxhi.
“Ndryshe është të paguaj 2 mijë, por tjetër gjë është të paguaj 8 mijë në muaj, nëse duam kredi të madhe. Shumë varet nga kohëzgjatja, nëse këstet janë më të mëdha, afati i shlyerjes është më i shkurtër; nëse këstet janë më të vogla, atëherë shlyerja zgjat më shumë dhe pagesat janë të tilla.” Tha një qytetar.
“Do ta paguajnë më shpejt, vlerësoj se shumë është 30 vjet”. Deklaroi një qytetare.
“Për qytetarët gjithsesi është e vështirë. Kreditë kanë norma më të larta interesi.” – Qytetar.
“Sigurisht që do të jetë më e vështirë. Në një afat më të gjatë mund të blesh më shumë. Në një afat të shkurtër, kësti është më i madh dhe të mbetet më pak për jetesën e përditshme.”Deklaroi një tjetër qytetar.
Profesori i ekonomisë Ali Maksuti thotë se masat në afat të shkurtër mund ta vështirësojnë marrjen e një kredie, por në afat më të gjatë synojnë të mbrojnë familjet nga borxhet e tepërta. Maksuti shpjegon se nëse qytetari ka më pak vite për ta kthyer kredinë, kësti mujor do të jetë më i madh. Por, nga ana tjetër, kredia shlyhet më shpejt dhe qytetari nuk mbetet për shumë vite në borxh. Ai thotë se kufizimi i kësteve në raport me të ardhurat është një tjetër mënyrë për të parandaluar mbiborxhin. Por, sipas Maksutit, banka duhet të marrë parasysh sa fiton një familje dhe të mos lejojë një këst që do t’ia rëndonte tepër buxhetin.
“Afati maksimal 25 vjet për kreditë e banimit dhe patundshmërive, ul rrezikun që familjet të mbeten në borxhe për periudha tepër të gjata dhe kufizon koston totale të interesit. Kurse kufizimi i kredive konsumatore parandalon mbiborxhin dhe përdorimin e kredive të gjata për konsum afatshkurtër. Kjo sa i përket vendimit të bankës qendrore në raport me qytetarët kurse sa i përket raportit të vendimit për politikën monetare, këto janë kryesisht masa makroprudenciale, jo instrumente tradicionale të politikës monetare. Ato plotësojnë normën bazë të interesit duke frenuar kreditimin e tepërt dhe rritjen e borxhit familjar”. – Ali Maksuti, Profesor i Ekonomisë.
Nga Banka Popullore thonë se masat janë marrë për të frenuar rritjen e borxhit të familjeve dhe për të ruajtur stabilitetin financiar. Të dhënat tregojnë se kreditimi vazhdon të rritet. Kreditë për banim janë rritur me 16,2 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa kreditë konsumatore me 12,2 për qind. Përjashtim mbeten qytetarët që për herë të parë blejnë banesë për vete, për ta, trajtimi më i favorshëm mbetet në fuqi./Aslat.mk
