Për një familje që pjesën më të madhe të të ardhurave e shpenzon për ushqim, shtrenjtimi i produkteve bazë ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin familjar.
Në Maqedoni, ushqimi gjatë vitit 2025 është shtrenjtuar për 5,2 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa inflacioni i përgjithshëm ka qenë 4,1 për qind.
Por, çfarë pritet të ndodhë me çmimet në treg në periudhën e ardhshme? A mund të presim stabilizim dhe ulje të çmimeve, apo qytetarët duhet të përgatiten për rritje të reja?
“Për familjet me të ardhura të ulëta, ngadalësimi i inflacionit nuk do të thotë domosdoshmërisht se jeta është bërë më e lirë. Çmimet mund të rriten më ngadalë, por ato mbeten në nivele të larta, veçanërisht për ushqimet që zënë pjesën më të madhe të buxhetit familjar.” – tha afaristi Xhemail Dauti.
Ekonomisti Faton Halili propozon që gjatë dimrit shteti të ndihmojë familjet me nevoja sociale, duke marrë parasysh tarifat më të larta dhe konsumin e rritur të energjisë.
“Kryetari i LSM-së thotë se rritje të çmimeve ka pasur edhe gjatë verës, ndërsa situata, sipas tij, bëhet edhe më e vështirë gjatë dimrit, kur shtohen edhe shpenzime të tjera për familjet. Një nga zgjidhjet kryesore sipas tij është rritja e pagës minimale.” – u shpreh ekonomisti, Faton Halili.
“Po vjen periudha e dimrit, kur pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë për ngrohjen e shtëpive, blerjen e veshjeve të ngrohta dhe shpenzime të tjera të domosdoshme. Kjo është diçka që vërtet nuk mund t’ia lejoni vetes me 600 euro. Madje, ndoshta nuk mund t’ia lejoni vetes as me pagë mesatare. Dalja nga ky rreth vicioz është vetëm rritja e pagave. Rritja e pagës minimale do t’u ndihmojë rreth 260 mijë punëtorëve në Maqedoni që menjëherë të kenë të ardhura shtesë në familjet e tyre” – deklaroi Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Në anën tjetër, paga mesatare neto ka arritur në 48.499 denarë, ndërsa paga minimale në 26.046 denarë. Në letër, pagat rriten. Por, për ta kuptuar më mirë standardin e jetesës, nuk mjafton vetëm të shikojmë shumën e pages, por duhet parë edhe sa mund të blihet me atë pagë.
