Sami Morina, përfaqësues i kompanisë Bas Tuti Fruti, është zgjedhur kryetar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veri-Perëndimit (OEMVP), me mandat katërvjeçar.
Morina u zgjodh gjatë Kuvendit të VI-të Zgjedhor të OEMVP-së, duke pasuar në këtë detyrë ushtruesin e detyrës së kryetarit, Nuhi Aliun.
Sipas informacioneve të përcjella lidhur me procesin zgjedhor, të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, Morina ka gëzuar mbështetje të gjerë brenda Odës. Po sipas këtyre informacioneve, kjo ka ndikuar që Nuhi Aliu të mos kandidojë për këtë post.
Zgjedhjen e Morinës e ka përshëndetur edhe ish-kryetari i OEMVP-së dhe kryetari aktual i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Në urimin e tij publik, Qyra i ka dëshiruar Morinës sukses në mandatin e ri, ndërsa ka përgëzuar Odën për organizimin e Kuvendit dhe zhvillimin e procesit zgjedhor.
Qyra ka vlerësuar gjithashtu rolin e OEMVP-së në përfaqësimin e komunitetit të biznesit, në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve.
Me zgjedhjen e Morinës, OEMVP-ja hyn në një mandat të ri katërvjeçar, me fokus në përfaqësimin e interesave të bizneseve dhe avancimin e bashkëpunimit me institucionet relevante.
