Ministria e Punëve të Brendshme shënoi Ditën e Policisë vetëm në maqedonisht. Pa mbishkrime në shqip, pa adresim në gjuhën shqipe dhe pa asnjë shqiptar në listën e shpalljes së 12 policëve më të mirë. Edhe pse dekorimet përfshijnë pjesëtarë nga 8 sektorë dhe 4 qendra rajonale të MPB-së, pa përfaqësim mbeti edhe Tetova, ku shqiptarët përbëjnë shumicën.
Ministria e Brendshme, pa përgjigje se përse mungon shqipja dhe dekorimi i policëve shqiptarë.
Në fjalimin e tij, numri një i policisë, foli për investimet në përmirësimin e kushteve dhe efikasitetin e shërbimeve policore, duke nënvizuar se kanë arritur uljen e krimit dhe korrupsionit.
“Vitin e kaluar e përfunduam me uljen e krimit të përgjithshëm për më shumë se 6 për qind. Janë shkatërruar 16 grupe kriminale ku kanë vepruar 205 persona. NË pjesën e luftës kundër korrupsionit, janë realizuar më shumë procedura të rëndësishme, përfshirë edhe raste të profilit të lartë ndërsa janë shkatërruar 4 grupe kriminale. Veçanërisht është me rëndësi se krimi i përgjithshëm shënon ulje dhe është në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit. Efikasiteti është 67,2 për qind, që është më i larti në 20 vitet e fundit” – deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, tha se policia e vendit, qëndron krah për krah me policinë bashkëkohore evropiane dhe botërore.
“Investojmë në modernizim, makina të reja, pajisje më të mira, kushte më të mira për punë, fusim mekanizma digjitale, sisteme bashkëkohore dhe teknologji të reja. Por arma më e fortë e policisë nuk është teknologjia, janë policët e ndershëm, të trajnuar, të qëndrueshëm dhe profesionistë. Teknologjia ndihmon, pajisjet mbështesin, por njeriu është ai që i merr vendimet, e merr përgjegjësinë dhe e mbron besimin” tha drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
Ndërkohë LSDM-ja thotë se derisa Toshkovski flet për siguri, vendi po fundoset në dhunë, krim dhe skandale. Opozita akuzon për sistem të dështuar të sigurisë, duke nënvizuar se pas dështimeve të njëpasnjëshme në sferën e sigurisë dhe dhunës, Toshkovski duhet të jep dorëheqje. /Alsat/
