Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se lufta me Iranin mund të “mbarojë shpejt”, ndërsa Teherani konfirmoi se po shqyrton një propozim amerikan që synon t’i japë fund përshkallëzimit të konfliktit dhe të hapë rrugën për negociata të reja bërthamore.
Komentet e Trump vijnë pasi media amerikane Axios raportoi se Shtëpia e Bardhë beson se palët mund të afrohen drejt një memorandumi mirëkuptimi me 14 pika, i cili do të krijonte bazën për bisedime më të detajuara mbi programin bërthamor iranian.
Sipas raportimeve, dokumenti përfshin pezullimin e pasurimit bërthamor nga Irani, heqjen graduale të sanksioneve amerikane dhe rikthimin e lëvizjes së lirë të anijeve përmes Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë.
Reuters raportoi se burime të përfshira në ndërmjetësimin SHBA-Iran kanë konfirmuar ekzistencën e propozimit, megjithëse ai ende nuk është bërë publik.
Duke folur në një aktivitet virtual elektoral në shtetin e Georgia, Trump tha se ishte optimist për një marrëveshje të afërt.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Kemi pasur bisedime shumë të mira gjatë 24 orëve të fundit dhe është shumë e mundur që të arrijmë një marrëveshje”, deklaroi ai, duke shtuar se shumica e amerikanëve “e kuptojnë” vendimin e tij për të mos lejuar Iranin të sigurojë armë bërthamore.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se propozimi amerikan “është ende duke u shqyrtuar” dhe se Irani do t’i komunikojë qëndrimet e tij ndërmjetësve pakistanezë pasi të përfundojë analiza.
