Goditje ndaj krimit të organizuar: Arrestohen 14 persona për shitje ilegale të barnave dhe botoksit, përfshirë mjekë dhe doganierë

Më 23 prill 2026, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar, nën udhëheqjen e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, realizoi një aksion policor që çoi në shkatërrimin e grupeve kriminale të përfshira në “bashkim kriminal”, “shkelje të pronësisë industriale” dhe “marrje ryshfeti”. Gjatë operacionit të shtrirë në Shkup, Strumicë dhe Manastir, u arrestuan 14 persona, mes të cilëve mjekë të klinikave shtetërore të Shkupit, pronarë të ordinancave dermatologjike dhe transportues të mallrave mjekësore të hyra ilegalisht pa licencë dhe pa udhëzime adekuate.
​Gjatë bastisjeve u sekuestruan sasi të mëdha të botoksit, filereve dhe hialuronit, mbi 40.000 euro në valuta të ndryshme, një veturë “Porsche”, sasi të mëdha parfumesh, telefona celularë dhe lëndë narkotike. Një ditë më pas, u ngritën kallëzime penale kundër 19 personave fizikë dhe 6 kompanive. Në mesin e të akuzuarve janë mjekë nga spitali “8 Shtatori” dhe Klinika e Dermatologjisë në Shkup, si dhe një zyrtar doganor me inicialet A.M., i cili akuzohet se ka pranuar ryshfet për të lejuar kalimin e mallit pa asnjë kontroll.

​Hetimi vërtetoi se gjatë vitit 2026, ky grup kishte krijuar një rrjet funksional për furnizimin me barna dhe botoks të falsifikuar nga Serbia, Koreja dhe Turqia. Këto produkte mjekësore përdoreshin për ndërhyrje estetike te pacientët, duke injoruar rregullat e MALMED-it dhe duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e njerëzve për qëllime të përfitimit pasuror të paligjshëm.