Faton Pollozhani ngre shqetësime të forta në takimin me Ambasadorin e BE, Michalis Rokas: “Rruga drejt integrimit në BE mbahet peng nga politika e brendshme”
Sot në Këshillin Komunal të Strugës u zhvillua një takim mes Ambasadorit e Bashkimi Europian dhe Këshilltarëve Komunal të Strugës ku përveç procesit të eurointegrimit, u diskutua edhe për mundësitë që BE-ja ofron për pushtetin lokal si dhe përkrahjen në tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohen komunat.
Në diskutimin e tij, Faton Pollozhani theksoi se ai vjen nga një gjeneratë që është rritur me bindjen dhe shpresën për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Për ne, Europa ka qenë një vizion për një shtet më funksional, më të drejtë dhe me standarde më të larta jetese, tha ai.
Megjithatë, realiteti sot është zhgënjyes.
Kanë kaluar dy vite nga qeverisja e VMRO-DPMNE dhe VLEN, ndërsa procesi eurointegrues vazhdon të jetë në status quo. Ndryshimet kushtetuese, si parakusht për hapjen e negociatave, mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së vullnetit politik. Po ashtu, sipas raporteve të fundit të BE-së, progresi në reformat kyçe është minimal ose inekzistent.
Në këtë kontekst, Pollozhani ngriti disa pyetje të drejtpërdrejta për rolin e BE-së:
Si e sheh Bashkimi Europian mungesën e vullnetit politik në vend?
A ka mekanizma më konkretë për të nxitur përgjegjësi dhe veprim?
Dhe nëse ky bllokim vazhdon, cilat janë alternativat reale për qytetarët që ende besojnë në këtë proces?
Ai theksoi se nuk ka alternativë më të mirë strategjike sesa integrimi në BE, por kur kjo rrugë mbahet peng nga politika e brendshme, rrezikohet seriozisht të rritet mosbesimi i qytetarëve dhe skepticizmi ndaj proceseve euroatlantike.
Faton Pollozhani
