BDI Strugë: Komuna e Strugës rrit tarifat për ndërtim me 20% – barrë shtesë për qytetarët e Strugës

Komuna e Strugës rrit tarifat për ndërtim me 20% – barrë shtesë për qytetarët e Strugës

Të nderuar qytetarë,

Dega e Bashkimi Demokratik për Integrim në Strugë shpreh shqetësimin e saj lidhur me Propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për rregullimin e tokës ndërtimore për vitin 2026, të propozuar nga Komuna e Strugës.
Rritja e tarifave komunale për ndërtim me rreth 20% paraqet një sfidë serioze për shumë familje dhe biznese. Veçanërisht, tarifa deri në 5.500 denarë për m² në zonën urbane përbën një ngarkesë të konsiderueshme për ata që planifikojnë të ndërtojnë apo të investojnë.
Në zonat rurale (fshatrat), rritja është gjithashtu shqetësuese, duke kaluar nga 400 në 500 denarë për m². Kjo rritje jo proporcionale krijon pasiguri dhe mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e këtyre zonave.
Po ashtu, kjo rritje vjen në një moment kur qytetarët përballen me mungesë të kushteve bazë për zhvillimin e pronave të tyre. Në shumë zona, përfshirë të lagje të tëra dhe në shumicën e vendbanime rurale mungon kanalizimi dhe infrastruktura e nevojshme, çka e bën edhe më të vështirë arsyetimin e rritjes së tarifave pa përmirësime konkrete në shërbime.
Gjatë seancës së Këshillit, u paraqitën vërejtje dhe argumente nga ana jonë, megjithatë vlerësojmë se ka pasur hapësirë për më shumë dialog dhe sqarime shtesë, veçanërisht në mungesë të prezantimit nga sektori përkatës i urbanizmit.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij vendimi, konsiderojmë se është e nevojshme një rishqyrtim i tij, i shoqëruar me transparencë më të madhe dhe përfshirje më të gjerë të publikut në procesin vendimmarrës.
Qytetarët e Strugës meritojnë politika të balancuara, që mbështesin zhvillimin dhe mirëqenien e përgjithshme.
Me respekt,
Dega e BDI-së – Strugë