Gjykata cakton masën e paraburgimit për ish-kreun e FFM-së, Muamed Sejdini

Gjykata Themelore Penale në Shkup, me propozim të Prokurorisë kompetente, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini.

Sipas gjykatës, masa e paraburgimit është vendosur për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston rrezik arratisjeje, si dhe mundësi ndikimi mbi dëshmitarët dhe provat gjatë procedurës.

Sejdini, i cili ka udhëhequr FFM-në nga viti 2019 deri në 2025, është ndaluar nga policia dje në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se gjatë periudhës nëntor–dhjetor 2024 ka përfituar përfitim të kundërligjshëm pasuror rreth 660 mijë euro për një kompani nga Shkupi. Bëhet fjalë për mjete të dedikuara nga UEFA për projektin “HatTrick VI”, për revitalizimin e infrastrukturës sportive, konkretisht ndërtimin e tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.

Prokuroria thotë se, megjithëse procedura e tenderit ishte miratuar dhe ishte zgjedhur oferta më e favorshme prej rreth 3.3 milionë euro pa TVSH, Sejdini ka shtuar një kusht të ri në kontratë për pagesë avansi prej 20% të vlerës totale, pa garanci ligjore për mjetet. Më pas, ai ka urdhëruar transferimin e rreth 660 mijë eurove si pagesë avans.

Këto veprime, sipas hetimeve, janë bërë në kundërshtim me vendimin e Bordit Drejtues dhe dyshohet se kanë shkaktuar përfitim të paligjshëm për subjektin juridik të përfshirë.