Numri i të rinjve që konsumojnë cigare elektronike është gjithnjë në rritje. Ndër arsyet kryesore mbeten çmimi i përballueshëm dhe qasja e lehtë deri tek to. Pulmologët thonë se rreziku nga përdorimi i tyre është po aq i madh sa i cigareve të zakonshme.
“Në të ardhmen do të ketë shumë pasoja, edhe pse vape-cigaret janë të reja në treg ato nuk janë në periudhë shumë të gjatë që janë bërë studime siç janë bërë për cigaret sepse cigarja përdoret me vite , por është vërtetuar se vape cigaret e kanë dëmin e vet, por sa është dëmi fatkeqësisht do të shihet në një të ardhmen të afërt.”/ deklaroi Zekirja Shaini- Pulmolog
Sipas pulmologut Zekirja Shaini, komplikimet nga përdorimi i tyre mund të përfshijnë dëmtime të zgavrës së gojës, dhëmbëve, zgavrës së hundës dhe fytit, deformime, madje edhe kancer.
“Vape-cigaret dëmtojnë shumë organet, veçanërisht tek të rinjtë të cilët janë në zhvillim e sipër dhe sidomos kur organizmi njeriut është në zhvillim e sipër , ato fillojnë dëmtimin e atyre organeve.Kemi raste që kam dëgjuar edhe nga kolegët ku kanë shkaktuar edhe kancer të gojës.” / deklaroi Zekirja Shaini-Pulmolog
Shqetësuese mbetet qasja e lehtë e të rinjve, madje edhe e atyre nën moshën 18 vjeçare deri tek këto cigare elektronike. Sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të paktën 15 milionë adoleshentë të grupmoshës 13–15 vjeç në botë konsumojnë cigare elektronike./ Alsat.mk
