Rasti i “Alta Bankës” ngre pyetje që shkojnë shumë përtej problemeve të një banke. Bëhet fjalë për menaxhimin e mjeteve publike, sigurinë financiare të institucioneve publike dhe lidhjen e mundshme ndërmjet vendimeve politike dhe interesave bankare, thuhet në reagimin e sotëm të BDI-së.
“Fakti që Banka Popullore u detyrua të vendosë administrim të përkohshëm dhe kufizime në disponimin e mjeteve, ndërkohë që institucionet dhe ndërmarrjet publike përballen me pasiguri lidhur me funksionimin e tyre financiar, kërkon një hetim të menjëhershëm dhe të thelluar institucional.
Veçanërisht shqetësuese është pyetja se sa mjete publike gjenden në Alta Banka dhe mbi bazën e cilave kritere institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë vendosur t’i shfrytëzojnë shërbimet e saj.
Kush i ka marrë këto vendime, kush i ka miratuar dhe kush e ka vlerësuar rrezikun financiar ndaj të cilit janë ekspozuar mjetet publike?
A ka qenë përzgjedhja e bankës rezultat i vlerësimeve të pavarura financiare dhe procedurave transparente, apo ka pasur ndikim politik në vendimmarrjen e institucioneve?
A janë analizuar rreziqet që lidhen me strukturën e pronësisë së bankës? A ka pasur paralajmërime dhe, nëse po, kush i ka pranuar ato dhe si ka vepruar?
Këto pyetje bëhen edhe më serioze pas informacioneve për procedurat ndaj pronarit të bankës amë në Serbi dhe dyshimeve për keqpërdorime financiare që janë objekt hetimi atje.
Prandaj, kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria e Financave që të publikojnë një pasqyrë të plotë të të gjitha institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe subjekteve të tjera nën kontrollin shtetëror që kanë pasur mjete në Alta Banka, duke përfshirë shumat e sakta, datat e hapjes së llogarive, bazën ligjore dhe personat përgjegjës për marrjen e vendimeve.
Njëkohësisht, Banka Popullore duhet të japë sqarime për procedurat e mbikëqyrjes dhe vlerësimet e rrezikut, veçanërisht në lidhje me ndryshimet në strukturën e pronësisë dhe zhvillimet financiare në bankën amë”, thonë nga BDI.
Nga atje presin që Prokuroria Publike, në kuadër të kompetencave të saj, të hetojë nëse gjatë orientimit të mjeteve publike ka pasur ndikime të paligjshme, keqpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi apo veprime të tjera të kundërligjshme.
“Çështja tashmë nuk është vetëm se çfarë do të ndodhë me Alta Bankën. Çështja është nëse shteti e di sa para publike janë ekspozuar ndaj rrezikut, si kanë përfunduar ato aty dhe kush e ka pasur për detyrë t’i mbrojë”, thonë nga BDI.
