Punëdhënësit në sektorin privat kanë edhe pak më shumë se dy muaj kohë për të paguar regresin për pushim vjetor, i njohur si K-15. Shuma minimale që punëtorët duhet të marrin këtë vit është rreth 19.560 denarë, ndërsa afati i fundit për pagesë është 31 dhjetori.
Pagesa e K-15 ka filluar më 1 korrik. Të drejtë për këtë kompensim kanë punëtorët që gjatë vitit kalendarik kanë të paktën gjashtë muaj marrëdhënie të pandërprerë pune te i njëjti punëdhënës.
Regresi për pushim vjetor është kompensim i detyrueshëm vjetor në sektorin privat, që synon t’u ndihmojë financiarisht punonjësve për shpenzimet e pushimeve.
Shuma e K-15 nuk është fikse, por llogaritet në bazë të pagës mesatare neto në vend gjatë tre muajve të fundit para muajit të pagesës. Minimumi përbën 40 për qind të pagës mesatare mujore neto, prandaj shuma përfundimtare mund të ndryshojë, varësisht nga koha kur punëdhënësi e kryen pagesën.
Kompanitë mund të paguajnë edhe shumë më të lartë, në përputhje me marrëveshjet kolektive dhe kushtet e përcaktuara.
Për kompanitë që nuk e përmbushin detyrimin për pagesën e K-15 parashikohen gjoba në para.
Sanksione parashikohen edhe për rastet kur punëdhënësi ia paguan regresin punëtorit dhe më pas e detyron t’ia kthejë paratë në dorë. Në kushte të përcaktuara me ligj, për këtë veprim mund të shqiptohet edhe dënim me burg deri në një vit.
Punëtorët që i plotësojnë kushtet kanë të drejtë ta marrin regresin më së voni deri në fund të vitit kalendarik, pavarësisht nëse e kanë shfrytëzuar tashmë pushimin vjetor.
