Të paktën dy persona janë vrarë në një sulm me raketa balistike në orët e para të mëngjesit në Kiev, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj kryeqytetit ukrainas.
Dy viktimat u raportuan në lagjen Darnytskyi, në juglindje të Kievit, sipas të dhënave të publikuara nga komanda ushtarake e qytetit.
Sulmi pasoi paralajmërimin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili të martën në mbrëmje paralajmëroi për rrezikun e një “sulmi masiv” rus ndaj kryeqytetit. Një gazetar i AFP-së raportoi se shpërthime u dëgjuan gjatë pothuajse gjithë natës në Kiev, ndërsa autoritetet kishin shpallur gatishmëri për sulme, veçanërisht nga raketat balistike.
Autoritetet ukrainase akuzojnë Rusinë se po synon sistematikisht infrastrukturën e vendit, ndërsa sulmet e fundit kanë prekur edhe objektet energjetike. Operatori ukrainas i rrjetit elektrik, DTEK, njoftoi ndërprerje të energjisë pas goditjeve ndaj objekteve energjetike.
Në ditët e fundit janë shënjestruar edhe dy ura kryesore të Kievit. Kryebashkiaku Vitali Klitschko e ka përshkruar javën e kaluar situatën në qytet si “dramatike”, për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse.
Alarmet e shpeshta ajrore kanë ndikuar edhe në aktivitetin ekonomik të kryeqytetit, pasi punonjësit detyrohen të ndërpresin punën dhe të kërkojnë strehim.
Sulme janë raportuar gjatë natës edhe në Zaporizhia. Sipas komandantit të distriktit ushtarak, Mikhail Semikin, është goditur “infrastruktura e transportit”.
Ndërkohë, sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, një nga objektivat mund të ketë qenë një urë që lidh dy brigjet e lumit Dnieper, e përuruar disa javë përpara nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022. Të martën, Semikin kishte raportuar gjithashtu për një sulm ndaj një ure në Zaporizhia.
