Çmimi i naftës vijon të bjerë për të gjashtën ditë radhazi, ndërsa tregjet po reagojnë ndaj sinjaleve për përparim në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite po përshpejton përpjekjet për rikthimin në funksion të gazsjellësit të rëndësishëm East-West, duke rritur pritshmëritë për normalizimin e flukseve energjetike.
Brent shënonte të mërkurën në mëngjes një rënie prej rreth 1%, duke u tregtuar me 98.3 dollarë për fuçi. Edhe nafta amerikane WTI ra me 1.5%, në rreth 89 dollarë për fuçi.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se zyrtarët amerikanë kishin zhvilluar një takim “shumë produktiv” me përfaqësuesit iranianë.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian bëri të ditur se Teherani i ka përcjellë Uashingtonit një propozim që lidhet me ngushticën e Hormuzit. Sipas tij, nëse SHBA ndërmerr hapa për heqjen e bllokadës që ka kufizuar eksportet iraniane të naftës, Irani do të ishte i gatshëm të rihapte ngushticën brenda shtatë ditësh.
