Rusia lëshoi një breshëri raketash dhe dronësh kundër Kievit, duke vrarë të paktën 12 persona dhe plagosur 33 të tjerë. Kryetari i Kievit, Vitali Klitçko, tha se katet e sipërme të një ndërtese banimi nëntëkatëshe në distriktin Solomjansk ishin dëmtuar dhe kishin marrë flakë pas sulmit, ndërsa njerëz ishin bllokuar në një tjetër ndërtesë banimi dhe disa pjesë të kryeqytetit kishin mbetur pa energji elektrike. Rusia ka intensifikuar sulmet e saj me raketa ndaj Ukrainës, ndërsa vendi përballet me mungesa të mëdha të sistemeve të mbrojtjes ajrore të afta për të rrëzuar raketat balistike me shpejtësi të lartë. Gjatë javëve të fundit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, ka bërë vazhdimisht thirrje ndaj aleatëve perëndimorë që të ofrojnë ndihmë shtesë ushtarake dhe i ka kërkuar Uashingtonit të përmbushë zotimin për t’i dhënë Ukrainës licencat për prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot.
