“Keni kryer shkelje në komunikacion. Parkohuni atje lart në anën e djatht që të mos bllokoni korsinë. Pastaj ktheheni këtu në sportel, aty do të merrni librezën, pasaportën dhe kolegu do t’ju spjegojë se çfarë keni për të paguar”
Kështu do të përballet çdo shtetas i huaj i cili ka kryer shkelje në komunikacion, e i cili dëshiron të kalojë në vendkalimin kufitar Tabanoc. Qindra qytetarë presin mbi një orë radhë në sportele për të paguar gjobat dhe për të mësuar se çfarë shkeljesh kanë kryer e të cilat i ka detektuar sistemi “Safe City”.
“Nuk e di, do të na tregojnë tani por punonjësit tuaj këtu nuk janë të edukuar mjaftueshëm.
Çfarë ju than juve në kufi? Në kufi nuk na treguan vetëm na u afrua një person vetëm sa nuk na hyri në veturë… Na morrën librezën dhe pasaportën, na thanë ejani të paguani gjobën. Vetëm kaq. A nuk e dini se për çfarë? Nuk kemi lidhje! Ja tani do ta mësojmë, deklaruan shtetasit serb në kufi.
“Tani ma morrën librezën dhe më thanë se kemi gjobë. Çfarë gjobe? Nuk kam lidhje! Nuk e di. Keni ngasur shpejt ose? Jo unë nuk kam vozitur shpejtë”, shtoi një tjetër shtetas serb.
“Kemi pritur një orë e gjysmë. Sistemi nuk punon. Mund të paguajmë vetëm me kartelë dhe duhet të hysh në aplikacionin e tyre. Nuk mund të shkosh të pagush në pikëpagesë të rregullt të paguash përmes terminalit. Duhet të hyj në email, të hyj në platformën shtetërore, të jap linkun e pagesës, të japësh të dhënat e bankës dhe kështu nuk funksionon. Pagova 1200 denarë… pra 20 euro. Për çfarë paguat? Çka kishit bërë? Paskam tejkaluar shpejtësinë por nuk e di sepse nuk morra asnjë dokument” u shpreh një shtetas nga Rumania.
“Ata thonë kinse kemi rënë në radar. Unë jam i sigurt, ja ku e kam dëshmitarin, kemi vozitur 20% më pak se gjithkund sa është shpejtësia e kufizuar. Kemi vozitur më pak. Dhe ende pa arritur mirë më tha ke ra në radar, mi jep dokumentat. Po kërkoj dëshmi, fotografinë dua ta shoh se ku më ka kapur kamera”, deklaroi një qytetar i Preshevës.
Derisa shoferët presin radhë për të paguar gjobat, e pësojnë edhe bashkëudhëtarët. Qytetarë të moshuar dhe fëmijë, presin në temperatura të larta në veturë, gjithashtu mbi një orë e gjysmë. Pos pasagjerëve, më së shumti e pësojnë edhe qytetarët që nuk kanë kryer shkelje por detyrohen të presin radhë në kolonë.
Ministri i brendshëm Pançe Toshkovski i cili u paraqit në këtë vendkalim kufitar nuk dha përgjigje për tollovinë e re të shkaktuar në Tabanoc por tha se të gjithë shkelësit do të paguajnë gjobat.
“Tani dorëzohen shkelje që janë kryer nga 01.02.2026 deri sot. Atyre që janë pronarë të veturave, sipas normave ligjore, u dorëzohen të gjitha shkeljet e komunikacionit që janë konstatuar në formë të gjobës që nga 01.02.2026….Me kamera të mençura derisa afrohen në vendkalimin kufitar kemi vendosur disa kamera të mençura të cilat i lexojnë targat e veturave dhe në bazë të informacionit që marrim në korniza të vendeve për kontroll, i ndajnë anash dhe i selektojnë vetëm ngasësit që kanë kryer shkelje në komunikacion”, deklaroi ministri Toshkovski.
Kujtojmë se sistemi “Safe City” filloi me zbatim që në muajin shkurt, por inkasimi i gjobave për të huajt filloi nga dje. Për dalje nga Maqedonia në drejtim të Serbisë pritet mbi një orë./Alsat.mk
