Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat përplas pushtetin dhe opozitën shqiptare. BDI ka reaguar lidhur me mungesën e drejtorëve në Ministrinë e Mbrojtjes. Nga kjo parti thonë se fakti që 10 nga 10 drejtorët në kuadër të kësaj ministrie janë maqedonas, ngre një alarm serioz për përjashtimin e shqiptarëve nga sistemi i sigurisë.
“Ky disproporcion paraqet një goditje të rëndë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, një nga shtyllat mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend”- thuhet në reagimin e BDI-së. Por zëvendës ministri mbrojtjes nga radhët e VLEN-it, Admir Shabani, ka reaguar me kritika të ashpra ndaj BDI-së, duke i akuzuar ata për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në pozitat drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në një postim në rrjetet sociale, Shabani tha se “me lot krokodili nuk bëhet politika, e as fshihet e bëma”, duke shtuar se dita-ditës po bien maskat dhe del fytyra e vërtetë e më shumë se dy dekadave të qeverisjes së BDI-së. Ai sfidoi publikisht kundërshtarët politikë që të tregojnë qoftë edhe një shqiptar të emëruar në pozitë drejtori në drejtoritë e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë kohës së qeverisjes së tyre. Ai thotë se VLEN do të korrigjojë padrejtësitë ndaj shqiptarëve në këtë ministri. /Alsat.mk
