Ali Ahmeti ka konvokuar mbledhjen e tretë të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimi Demokratik për Integrim, ku në fokus kanë qenë zhvillimet aktuale politike në vend, sfidat që lidhen me respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si dhe, siç vlerësohet nga partia, tendencat shqetësuese që cenojnë balancën ndëretnike dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Sipas njoftimit të BDI-së, në mbledhje është diskutuar edhe për organizimin e brendshëm partiak, me theks të veçantë në konsolidimin dhe fuqizimin e strukturave në terren, si përgjigje ndaj, siç thuhet, dinamikave të reja politike në vend.
Në këtë kuadër, Ahmeti ka njoftuar Kryesinë edhe për emërimet e reja në disa degë të partisë. Për kryetar të Degës së Bogovinës është emëruar Elez Ramadani, në Jegunovcë Valon Nuhiu, ndërsa në Shuto Orizarë Ilaz Leskovica.
Nga BDI vlerësojnë se në këtë periudhë politike kërkohet qartësi, përgjegjësi dhe vendosmëri në mbrojtjen e, siç i quajnë, arritjeve strategjike dhe të drejtave të qytetarëve.
Partia opozitare shqiptare thekson se mbetet e përkushtuar në forcimin e strukturave partiake, ruajtjen e stabilitetit politik dhe avancimin e proceseve demokratike dhe eurointegruese të vendit. Mbledhja vjen në një kohë të intensifikimit të debateve politike rreth pozitës së shqiptarëve dhe zhvillimeve që prekin balancën institucionale në vend.
