Strugë – Ka dështuar votimi për përbërjen e këshillave drejtuese në seancën e fundit të Këshillit Komunal të Strugës, duke lënë pezull një nga çështjet më të rëndësishme për funksionimin e ndërmarrjeve publike.
Gjatë seancës së sotme, ndër pikat kryesore në rend dite ishte votimi i këshillave drejtuese të ndërmarrjeve publike. Megjithatë, me propozim të këshilltarëve nga radhët e opozitës, shumica e këshilltarëve vendosën të tërheqin këto pika dhe të hapin konkurse të reja.
Sipas diskutimeve në seancë, konstatimi i përgjithshëm ishte se kandidatët që kishin aplikuar nuk i plotësonin kushtet e përcaktuara në konkurs, çka solli bllokimin e procesit të votimit.
Ndërkohë, ndërmarrjet komunale në Strugë prej javësh funksionojnë pa këshilla drejtuese, situatë që ngre pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e vendimeve të marra dhe mbarëvajtjen e punës së tyre.
Pritet që në ditët në vijim të shpallen konkurset e reja, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo situatë do të zgjidhet shpejt apo do të thellojë më tej krizën institucionale në nivel lokal.
