Arrestohet ish-kreu i Federatës së Futbollit, Muamed Sejdini, dyshohet për keqpërdorim prej 700 mijë euro

Është arrestuar ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini. Ai dyshohet për shpërdorimin e 700 mijë eurove, mjete që UEFA i kishte ndarë për Federatën e Futbollit të Maqedonisë për ndërtimin e tribunës së re në stadiumin e futbollit në Ohër.

“Zyrtarë policorë nga Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe serioz dhe Departamenti i policisë kriminalistike, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Shkup, e privuan nga liria M.S. për shkak të dyshimeve për vepra penale të kryera, përvetësim dhe keqpërdorim”, deklaroi Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së.

Për rastin e ndërtimit të tribunës në Ohër, në shkurt të këtij viti, Sejdini u pezullua për dy vjet nga FFM për shkak të mashtrimit dhe keqpërdorimit të autorizimeve. Komisioni disiplinor në FFM ka konstatuar se Sejdini e ka keqpërdorur pozitën e tij dhe ka nënshkruar kontratë me kusht të futur për pagesë avansi prej 20 për qind, edhepse një kusht i tillë nuk ka qenë pjesë e ofertës së pranuar për ndërtimin e tribunës. Avansi është paguar pa garanci bankare të siguruar dhe pa autorizim përkatës. Muamed Sejdini ishte kryetar i FFM-së në dy mandate nga viti 2019 deri në vitin 2025./Alsat.mk.