Kuvendi miratoi nevojën, shtetësi vetëm të Maqedonisë nëse doni të bëheni deputetë!

Në Kuvend u miratua nevoja për ndryshimet në Ligjin për Deputetët me çka parashihet deputetë të mund të jenë ata që kanë vetëm shtetësi të Maqedonisë së Veriut dhe nuk guxojnë të kenë shtetësi të vendeve të tjera. Deputeti Antonio Milloshoski duke prezantuar ndryshimet, theksoi se kjo do të rrisë besimin e qytetarëve.

“Një deputet, një shtetësi. Që të mund të jeni deputet në Kuvend, çdokush do të duhet të ketë vetëm shtetësi të Maqedonisë. Ky ligj nëse miratohet dhe sapo të publikohet në Gazetën Zyrtare, do të vlejë edhe për këtë përbërje të deputetëve. Deputetët të cilët kanë shtetësi të dyfishtë, nuk do të mund të jenë deputetë në Kuvendin e Maqedonisë”, tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Opozita ishte e ndarë në votim. LSDM-ja votoi “për”, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojnë që të vlejë edhe për zyrtarët e emëruar.

“Ligj të njëjtë do të dorëzojmë edhe për Qeverinë. Nëse mundet Kuvendi, atëherë nuk munden as ministrat të kenë shtetësi të shteteve tjera. Kush dëshiron t’i shërbejë Maqedonisë, le të shërbejë edhe në Qeveri. Nuk mundet deputetët të jenë ndryshe e të tjerët ndryshe”, paralajmëroi Oliver Spasovski nga LSDM.

Fronti Evropian votoi kundër. Thotë se me këtë i pamundësohet diasporës të marrë pjesë në zgjedhje dhe se është në kundërshtim me rregulloren e BE-së.

“Propozim ligj antikushtetues, është kundër Kodit Zgjedhor, kundër praktikës në Bashkimin Evropian dhe është kundër harmonisë ndëretnike që e kemi. Është kundër Kushtetutës për faktin që Kushtetuta e RMV lejon të kemi dy nënshtetësi, deputetët të zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve dhe u lejohet atyre të kenë nënshtetësi tjetër prandaj kjo e drejtë e Kushtetutës është e cenueshme në propozim ligjin dhe është kundër kodit zgjedhor”, theksoi Skender Rexhepi nga Fronti Evropian.

Ky propozim erdhi vetëm pak ditë pasi deputetët e LSDM-së akuzuan deputetët e VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski, Bojan Stojanoski, Nikolla Micevski, Marija Petrushevska dhe Igor Zdravkovski se kanë shtetësi të Bullgarisë dhe kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Bullgari./Alsat.mk