ISHT: Nga 509 mbikëqyrje nëpër kompani, 124 gjoba me vlerë mbi 58 mijë euro

Në çdo të katërtën kompani në mbarë vendin, ku kanë hyrë inspektorët e tregut, janë zbuluar parregullsi dhe punë e paligjshme. Për një javë, gjatë 509 mbikëqyrjeve, janë lëshuar 124 gjoba me vlerë mbi 58.000 euro. Më së shumti janë shkelur Ligji për tregti dhe ai për disiplinë financiare.

INSPEKTORATI SHTETËROR I TREGUT:

-Më së shumti mbikëqyrje janë kryer sipas Ligjit për tregti, janë realizuar 166 mbikëqyrje, janë shqiptuar 47 gjoba. Për Ligjin për mbrojtje nga duhani, janë kryer 21 mbikëqyrje, janë shqiptuar 12 gjoba. Sipas Ligjit për veprimtari hoteliere, janë kryer 49 mbikëqyrje, janë shqiptuar 14 gjoba. Sipas Ligjit për disiplinë financiare, janë kryer 107 mbikëqyrje, janë shqiptuar 42 gjoba.

Parregullsi ka pasur edhe në respektimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve. Gjatë 38 mbikëqyrjeve janë shqiptuar 2 urdhër-gjoba kundërvajtëse, po aq sa edhe për Ligjin për zejtarinë, ku parregullsitë janë konstatuar gjatë 43 kontrolleve. Katër gjoba ka pasur për shkelje të Ligjit për metrologji. Një sipas Ligjit për ndalimin dhe parandalimin e ushtrimit të veprimtarisë së paregjistruar.

INSPEKTORATI SHTETËROR I TREGUT:

-Janë shqiptuar 43 vërejtje, pas të cilave do të pasojnë mbikëqyrje kontrolluese. Inspektorati vazhdon me kontrolle të vazhdueshme dhe të intensifikuara për respektimin e ligjeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Nga inspektorati njoftuan se veprojnë në përputhje me ligjet dhe planin vjetor dhe mujor të punës. Por, përveç mbikëqyrjeve të rregullta, veprojnë edhe sipas ankesave nga qytetarët dhe institucionet. Ndërkohë, kontrollet e inspektorëve janë intensifikuar edhe për të parandaluar rritjen e çmimeve të ushqimeve për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Enti Shtetëror i Statistikës ka matur se në mars shpenzimet e jetesës janë rritur për 4,9 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Ndërsa shpenzimet për ushqim janë rritur për 7,5 për qind.