Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i është drejtuar me një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me të drejtën e studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ahmeti thekson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e garanton këtë të drejtë dhe kërkon nga Ministria e Drejtësisë zbatimin e plotë të tij.
Në letër, ai kundërshton mundësinë që provimi të zhvillohet pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht, duke e cilësuar një zgjidhje të tillë si cenim të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
Ai gjithashtu kërkon që Komisionit të Venecias t’i prezantohet gjendja e plotë juridike dhe jo një zgjidhje që, sipas tij, kufizon të drejtat e garantuara me ligj.
Në fund të letrës, Ahmeti u drejtohet edhe SHBA-së, BE-së, NATO-s, si dhe autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë, duke kërkuar angazhim për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Ne nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë zbatimin e ligjit”, thekson Ali Ahmeti në letrën e hapur.
