Besjan Rexhepi: Studentët kërkojnë një të drejtë kushtetuese, por institucionet vazhdojnë t’i ofrojnë zgjidhje gjysmake

Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të SHTULIT, Besjan Rexhepi, ka reaguar lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke kritikuar qasjen e institucioneve dhe zvarritjen e zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Në një reagim publik, Rexhepi ka theksuar se protestat studentore ishin një alarm serioz për institucionet, të cilat, sipas tij, reagojnë vetëm kur qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre.

Ai ka kundërshtuar edhe zgjidhjen që parasheh zhvillimin e pjesës teorike të provimit në shqip, ndërsa pjesën praktike në maqedonisht, duke e cilësuar atë si të pjesshme.

Rexhepi ka kritikuar edhe vendimin që çështja të dërgohet në Komisionin e Venedikut, pas paralajmërimit për shqyrtimin e saj nga Qeveria, duke ngritur pyetjen se sa gjatë duhet të presin studentët për realizimin e një të drejte që, sipas tij, garantohet me Kushtetutë.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar drejtpërdrejt kryeministrin Hristijan Mickoski, duke thënë se shteti nuk është pronë e Qeverisë dhe se Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas interesave të përditshme politike.

Rexhepi ka përmendur edhe rastet e Koçanit, Onkologjisë, padrejtësitë sociale dhe çështjet ndëretnike, duke vlerësuar se institucionet prodhojnë deklarata, ndërsa përgjegjësia vazhdon të shtyhet.

Në fund, ai ka theksuar se problemi nuk qëndron te maqedonasit, shqiptarët apo komunitetet e tjera, por te një pushtet që, sipas tij, përdor polarizimin si strategji dhe shmang përgjegjësinë.

“Unë nuk jam kundër shtetit. Jam kundër atyre që, duke pretenduar se e mbrojnë shtetin, po e shkatërrojnë besimin në të”, ka shkruar Rexhepi, duke shtuar se shteti duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe jo t’i bëjë ata peng të sistemit, veçanërisht rininë dhe studentët.