Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë mund të rritet deri në 5 për qind, ndërsa Qeveria po përgatit masa për të kufizuar shtrenjtimin.
Plani parasheh sigurimin e qymyrit nga Kosova për nevojat e REK Manastirit, shfrytëzimin e prodhimit vendor dhe furnizimin shtesë me energji nga Greqia. Gjithashtu, është planifikuar rikthimi në funksion i bllokut të tretë të termocentralit në Manastir.
Sipas Mickoskit, çmimet e energjisë elektrike në tregjet evropiane janë rritur deri në trefish. Ai paralajmëroi se në muajt e ardhshëm çmimi mund të arrijë në 350–400 euro për megavat-orë.
Për furnizimin me qymyr nga Kosova po përgatitet një sistem transporti prej mbi 6.000 tonësh në ditë, me angazhimin e më shumë se 200 kamionëve.
Kryeministri tha se Qeveria po ndërmerr masa për të ruajtur stabilitetin energjetik dhe për të kufizuar ndikimin e krizës në çmimet për qytetarët.
