Tragjedi në Kretë/ Përmbytet varka me emigrantë, 20 të vdekur, 2 të zhdukur dhe 133 të shpëtuar

Bilanc tragjik në Jug të Kretës, ku disa varka me emigrantë janë fundosur nga valët dhe erërat e forta. 20 persona kanë humbur jetën, dy të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa 133 emigrantë janë shpëtuar operacionet e kërkim-shpëtimit të zhvilluara gjatë fundjavës.

Ngjarja e parë u regjistrua pranë portit të Kali Limenes, ku një rimorkiator shpëtoi 28 emigrantë nga Sudani dhe nxori një trup të pajetë. Pas ndërprerjes së operacionit për shkak të erërave të forta, kërkimet rifilluan mëngjesin e sotëm, kur në të njëjtën varkë u gjetën edhe shtatë trupa të tjerë. Ndërkohë, rreth 28 kilometra larg bregdetit, në një tjetër varkë u gjetën edhe 12 emigrantë të vdekur, ndërsa 18 persona u shpëtuan. Në dy operacione të tjera ne jug të Kretës, forcat e Frontex-it shpëtuan edhe 87 emigrantë. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, emigrantët ishin nisur nga brigjet e Libisë më 3 ose 4  nëntor, duke paguar nga 12 mijë deri më 16 mijë dinarë libianë për udhëtimin drejtë Greqisë. Ndërkohë, policia detare greke ka arrestuar dy shtetas sudanezë, 28 dhe 16 vjeç, të dyshuar për trafikim të emigrantëve dhe ekspozim të tyre ndaj rrezikut me pasojë vdekjen.

Kreta mbetet një nga pikat kryesore të mbërritjes së emigrantëve në Evropë. Gjatë këtij viti, mbi 23 mijë persona kanë mbërritur në ishull dhe zonat përreth, përmes rrugës detare nga Libia, e cila vijon të jetë një nga korridoret kryesore të emigracionit drejt Bashkimit Evropian./Alsat.mk.