Ali Ahmeti kujton Komandant Ilirin në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta: Ishte unifikues dhe njeri i fjalës

Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Isa Likës, i njohur si Komandant Iliri, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, e ka kujtuar atë me respekt të thellë, duke e cilësuar si një shok, bashkëveprimtar dhe mik të çmuar me të cilin ndau rrugëtimin për më shumë se një dekadë.

Gjatë akademisë përkujtimore të mbajtur për nder të tij, Ahmeti theksoi se Komandant Iliri ishte një njeri i fjalës, i qëndrimit dhe i përkushtimit, i cili shquhej për aftësinë e tij për të afruar njerëzit rreth qëllimeve të përbashkëta dhe për të ndërtuar besim në momente vendimtare.

“Kujtimi për të nuk është vetëm një rikthim te e kaluara, por edhe një vlerësim për vlerat që la pas: shoqërinë e sinqertë, besnikërinë ndaj bashkëveprimtarëve dhe aftësinë për të bashkuar njerëzit rreth idealeve që na bashkojnë”, u shpreh Ahmeti.

Ai shtoi se edhe pas dy dekadave nga largimi i tij fizik, Komandant Iliri mbetet i gjallë në kujtesën kolektive, në respektin për veprën e tij dhe vlerat që përfaqësoi gjatë jetës së tij.