Kryeministri Edi Rama akuzon aktorë të ndryshëm se po përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësinë qytetare për të destabilizuar vendin dhe për të penguar procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Gjatë konferencës me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro për protestat e zhvilluara në Tiranë, Rama u shpreh se manifestimi i pakënaqësisë qytetare në qershor ishte legjitim dhe i respektueshëm, por sipas tij, situata aktuale po shfrytëzohet për qëllime të tjera politike.
“Duart që janë futur këtu, për të shfrytëzuar manifestimin e pakënaqësisë qytetare në qershor, legjitim dhe i respektueshëm, janë duar që së bashku, kërkojnë të shfrytëzojnë një moment, boshllëk, për të frenuar ecurinë e vendit tonë, për të destabilizuar një vend që ka eksportuar stabilitet dhe për ta frenuar procesin e negociatave me BE”, theksoi Rama.
Kryeministri e lidh përshkallëzimin e protestave me atë që e konsideron një përpjekje për të ndërprerë rrugëtimin europian të Shqipërisë. Ai ka kundërshtuar thirrjet për dorëheqje, duke argumentuar se ndryshimet politike në këtë moment mund të ndikojnë në vijimësinë e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
