Pavarësisht qëndrimit të betonuar të Bullgarisë se nuk ka rinegocim për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, kryeministri Hristijan Mickoski është optimist se mund të arrihet marrëveshje nëpërmjet dialogut. Ndonëse takimi i shefave të diplomacisë së Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut përfundoi pa rezultat konkret, Mickoski e sheh pozitiv, faktin që ka nisur dialogu.
“Në dialog, ajo është bukuria e demokracisë kur të diskutoni dhe kur të udhëhiqni dialog. Unë gëzohem që ai dialog ka filluar, unë gëzohem që për dialogun janë njoftuar edhe partnerët tanë ndërkombëtar, ajo është e bukura në dialog të diskutoni kur keni qëndrime të ndryshme, ndërsa shkathtësia në demokraci është kur ato qëndrime të ndryshme t’i afroni dhe në fund do të vini te kompromisi. Unë pres që dialogu të vazhdojë të udhëhiqet dhe në një moment të caktuar qëndrimet të afrohen dhe të vijmë deri te zgjidhja”. – Sinkron: Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Pavarësisht shpresave të Mickoskit, ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova Çamova një ditë pas takimit me homologun e saj Timço Mucunski, u shpreh qartë se Bullgaria nuk pranon rinegociim të marrëveshjes së arritur në vitin 2022, ndërsa propozimin e Maqedonisë për ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar e hedhin poshtë.
“A kemi arritur marrëveshje për ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar? Përgjigja është “jo”. Ministria e Punëve të Jashtme qëndron pas marrëveshjes së vitit 2022 dhe kategorikisht hedhim poshtë mundësinë e çfarëdo anashkalimi, rinegociimi, dakordësie me vende të caktuara anëtare për çfarëdo lloj dakordësie që do të ndryshonin kushtet e marrëveshjes së arritur. Bullgaria nuk merr pjesë në rinegociimin e marrëveshjes me Shkupin. Nuk kemi nevojë për rinegociim dhe rimarrëveshje sepse ata janë të papranueshme për ne”. – Velisllava Petrova Çamova, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Qëndrimi i këtillë u artikulua nga pala bullgare edhe gjatë takimit mes dy ministrave të jashtëm. Nga ana tjetër Shkupi kërkon garanci se pas këtyre ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë kushtëzime të reja për çështje identitare e historike, por se procesi integrues do të zhvillohet sipas meritokracisë. Takimi u realizua pas këshillës së shefes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë vizitës në Shkup. /Alsat.mk
