“VLEN-i, në vend që të fshihet pas deklaratave të përgjithshme për drejtësi dhe sundim të ligjit, duhet t’u përgjigjet qytetarëve se çfarë ka bërë konkretisht për zbardhjen e rastit të dy të rinjve nga Saraji, të cilët kanë denoncuar keqtrajtim nga zyrtarët policorë.
Është e lehtë të thuhet se dhuna nuk justifikohet me uniformë dhe se shkelësit duhet të përgjigjen para ligjit. Por, kur je pjesë e pushtetit, nuk mjafton të shprehësh shqetësim dhe të presësh përfundimin e hetimeve. Kërkohet përgjegjësi politike, veprim institucional dhe garanci se raste të tilla nuk do të relativizohen apo të mbulohen.
BDI-ja nuk kërkon që përgjegjësia të përcaktohet mbi baza etnike, por mbi bazën e fakteve dhe provave. Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për ta zhvendosur debatin te përkatësia etnike e policëve është shmangie nga thelbi i çështjes: a është ushtruar dhunë, kush mban përgjegjësi dhe a kanë vepruar institucionet me kohë dhe në mënyrë të paanshme?
Përgjegjësia individuale e zyrtarëve policorë dhe përgjegjësia institucionale nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato duhet të ecin paralelisht. Hetimi duhet të jetë i plot dhe transparent, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari për çdo veprim apo mosveprim.
Prandaj, BDI-ja përsërit kërkesën për zbardhjen e plotë të rastit dhe për përgjegjësi institucionale e politike. Ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si trajtohet ky rast dhe të japë dorëheqje.
Drejtësia nuk mbrohet me deklarata, por me veprime konkrete. Kur dy të rinj denoncojnë dhunë nga policia, pushteti nuk mund të mjaftohet me fjalë – ai duhet të garantojë të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
