Gjykata në Kumanovë e dënoi me burg të përjetshëm vrasësin serik Trajçe Bojkovskin

Burg i përjetshëm për Trajçe Bojkovskin, i akuzuar për vrasjen e katër grave dhe tentimvrasjen e dy të tjerave në Kumanovë. Gjykata e shpalli fajtor për të gjashtë pikat e aktakuzës, duke i shqiptuar dënimin maksimal, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë kërkesën e mbrojtjes për dërgimin e Bojkovskit në spital psikiatrik. Gjykatësi Mirsad Surroi, theksoi se nuk ka hapësirë për rrethana lehtësuese. Surroi e cilësoi rastin si një nga më të rëndët, më morbidet dhe më të komplikuarit në historinë e re të gjykatave në vend.

“Bojkovski është fajtor për të gjitha gjashtë pikat e aktakuzës. Pas procedurës së zhvilluar, gjykata konstatoi se i akuzuari ka kryer veprat penale të vrasjes dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Këshilli gjyqësor konfirmoi gjendjen faktike. Gjykata u përball me një nga rastet më të rënda dhe më të komplikuara në historinë e saj të re. Bëhet fjalë për vrasje serike, të shoqëruara me sjellje devijante. Gjatë caktimit të dënimit, nuk u gjet asnjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin”, deklaroi Mirsad Surroi, gjykatës.

Viktimat e Bojkovskit ishin gra të moshuara dhe të pambrojtura, të cilat jetonin të vetme. Sipas akuzës, ai fillimisht i vriste dhe më pas abuzonte seksualisht me trupat e tyre të pajetë.

Prokuroria e mbështeti vendimin e gjykatës, duke vlerësuar se, për shkak të përmasave të krimeve dhe mungesës së mundësisë për risocializimin e të akuzuarit, burgimi i përjetshëm ishte dënimi i duhur.

“Mendoj se gjykata me të drejtë e konfirmoi gjendjen faktike dhe shqiptoi dënimin e vetëm të mundshëm në raste të tilla. Bëhet fjalë për vrasje monstruoze, me përmasa jashtëzakonisht të mëdha. Gjykata, ashtu si edhe unë më herët, nuk gjeti rrethana lehtësuese. Gjithashtu, u konstatua se nuk ekziston mundësia për risocializimin e të akuzuarit. Për këto arsye, konsideroj se është shqiptuar dënimi i duhur, si për veprat penale, ashtu edhe për kryerësin e tyre”, tha Lubomir Llape, Prokuror.

Ndërkohë, mbetet e ndarë procedura që lidhet me mjekët, për të cilët Prokuroria Publike në Kumanovë kishte kërkuar hetim të veçantë, pasi dyshon se ata kanë ndihmuar në fshehjen e rrethanave të vdekjes së viktimave të Bojkovskit. Kërkesa u miratua nga Prokuroria e Lartë Publike në Shkup, e cila lëndën e përcolli te prokuroria kompetente në kryeqytet.  Prokurori Llape tha gjithashtu se gjatë hetimit të çështjes ndaj Bojkovskit nuk kishte konstatuar dyshime serioze ndaj punonjësve të policisë, por theksoi se nuk është kompetent për të vlerësuar nëse duhet të hapet një procedurë e veçantë ndaj tyre. Për këtë, sipas tij, kompetente është Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion./Alsat.mk.