OKB: Gati 50 mijë gra dhe vajza janë vrarë ose plagosur rëndë në Gaza që nga tetori i vitit 2023

Gati 50 mijë gra dhe vajza janë vrarë ose plagosur rëndë në Gaza që nga tetori i vitit 2023, që do të thotë se një në çdo 21 gra dhe vajza në enklavë është prekur, njoftoi sot Agjencia e OKB-së për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women), transmeton Anadolu.

“Më shumë se 38 mijë janë vrarë dhe 11.700 kanë mbetur me lëndime aq të rënda, saqë tashmë jetojnë me aftësi të kufizuara gjatë gjithë jetës”, u tha gazetarëve në Gjenevë, Sofia Calltorp, drejtuese e veprimeve humanitare në “UN Women”.

Ajo tha se shumica e viktimave u regjistruan gjatë dy viteve të para të luftës, por dhuna ka vazhduar edhe pse marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi një vit më parë. Që nga tetori i vitit 2025, janë vrarë 277 gra dhe vajza. Gati një milion gra dhe vajza janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre ndërsa pothuajse të gjitha vazhdojnë të jenë të zhvendosura. Shumë prej tyre jetojnë në tenda ose mes rrënojave të shtëpive të tyre, tha ajo.

Calltorp paralajmëroi se numri i familjeve që drejtohen nga gratë është dyfishuar dhe se tani një në katër familje në Gaza drejtohet nga një grua. Ndërkohë, shkurtimet e financimit kanë dobësuar rëndë organizatat e grave, ku 13 nga 14 organizatat e anketuara raportuan se nuk janë më në gjendje t’u përgjigjen nevojave në rritje.

Të gjitha organizatat e anketuara raportuan rritje të dhunës me bazë gjinore, varfërisë dhe problemeve të shëndetit mendor që nga viti 2025 ndërsa 13 prej tyre raportuan rritje të martesave të fëmijëve.

“UN Women” bëri thirrje për zbatimin e plotë të armëpushimit, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që shkelin ligjin. “Ajo që kemi konstatuar është një nivel i tmerrshëm vuajtjesh kolektive, një dhimbje e jashtëzakonshme dhe një shkallë qëndrueshmërie e force që asnjë grua nuk duhet të detyrohet të përballojë”, tha Calltorp.