Mickoski: Von der Leyen e vlerësoi si frymëzuese punën e Qeverisë në reformat dhe rrugën drejt BE-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me atë nëse ka pakënaqësi nga mesazhet e Ursula von der Leyen ose nga ngecja në rrugën drejt BE-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Shikoni, këtë e dëgjova nga opozita dhe nga disa media të afërta me opozitën. Mendoj se jo vetëm që nuk e thonë të vërtetën, por tani po përpiqen edhe ta shtrembërojnë të vërtetën.

Përkundrazi, unë thashë se patëm një takim jashtëzakonisht cilësor, përmbajtësor dhe miqësor dhe se gjithçka që në të ardhmen përfaqëson përkushtim personal dhe përkushtim të Bashkimit Evropian, na motivon të vazhdojmë në rrugën e reformave dhe kështu do të vazhdojmë edhe në periudhën që vijon.

Unë vetëm do të them se Presidentja Von der Leyen, si asnjëherë më parë, tha se kjo Qeveri po bën një punë frymëzuese, ja, po e citoj, në reformat dhe në gjithçka që i kushtohet anëtarësimit të shtetit në Bashkimin Evropian.

Kështu që, pres që në periudhën që vijon, më në fund të mund ta intensifikojmë të gjithë së bashku këtë proces dhe të gjejmë një zgjidhje për situatën në të cilën ndodhemi”, tha Mickoski.