Departamenti i Policisë Kriminalistike i MPB ka arrestuar 5.628 persona nën operacionin “Pastruesi” në të gjithë Maqedoninë

Departamenti i Policisë Kriminalistike i MPB ka arrestuar 5.628 persona nën operacionin “Pastruesi” në të gjithë Maqedoninë:për shumë raste të kriminalitetit të dhunshëm dhe ndërkufitar!
Policia kriminalistike është në terren. Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit të Policisë Kriminalistike, në koordinim dhe bashkëpunim me të gjithë Sektorët për Punë të Brendshme dhe Qendrat Rajonale për Çështje Kufitare, që nga shtatori i vitit 2024 po zhvillon aksionin operativ “Pastruesi” në të gjithë territorin e Maqedonisë.

Aksioni është i orientuar drejt zbulimit dhe parandalimit të veprave penale nga fusha e kriminalitetit të dhunshëm, tregtisë së paligjshme me drogë dhe kriminalitetit ndërkufitar.
Që nga fillimi i aksionit operativ “Pastruesi” e deri më sot, zyrtarët policorë kanë kontrolluar dhe kanë përcaktuar identitetin e 74.229 personave, ndërsa janë kryer 158.955 kontrolle të personave, automjeteve dhe bagazheve.

Në kuadër të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, janë privuar nga liria gjithsej 5.628 persona, janë kryer 1.158 kontrolle dhe bastisje të shtëpive dhe hapësirave të tjera, ndërsa janë paraqitur 1.135 kallëzime penale.
Nga numri i përgjithshëm i kallëzimeve penale, 88 kanë të bëjnë me vepra penale nga fusha e kriminalitetit të dhunshëm, ndërsa 1.047 kallëzime penale kanë të bëjnë me vepra penale të lidhura me tregtinë e paligjshme të drogës.

Gjatë realizimit të aksionit janë konfiskuar sasi të konsiderueshme të llojeve të ndryshme të lëndëve narkotike, ndër të cilat marihuanë, kokainë, amfetaminë, heroinë, hashash dhe tableta MDMA, si dhe armë, mjete financiare, disa automjete motorike për transport të udhëtarëve dhe telefona celularë.

Për autorët e veprave penale, në përputhje me procedurat ligjore dhe vendimet e organeve kompetente, janë caktuar masa paraburgimi, ndërsa në një pjesë të rasteve janë shqiptuar edhe dënime me burgim.
Në kuadër të aktiviteteve të ndërmarra në përputhje me aksionin operativ “Pastruesi”, janë parandaluar edhe disa kanale ndërkombëtare të tregtisë së paligjshme me lëndë narkotike, veçanërisht në vendkalimet kufitare Tabanoc, Deve Bair dhe Dojran i Vjetër.

Aktivitetet e realizuara dhe rezultatet e arritura në kuadër të aksionit operativ “Pastruesi” tregojnë për një përmirësim të konsiderueshëm të efikasitetit dhe efektivitetit të veprimtarisë zbuluese të zyrtarëve policorë nga të gjithë Sektorët për Punë të Brendshme dhe Qendrat Rajonale për Çështje Kufitare.

Ministria e Punëve të Brendshme edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me zbatimin e masave dhe aktiviteteve të koordinuara, ditëve aksionare dhe kontrolleve të përforcuara në të gjithë territorin e shtetit, me qëllim zbulimin në kohë, parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale që lidhen me kriminalitetin e dhunshëm, tregtinë e paligjshme me drogë dhe kriminalitetin ndërkufitar.