Haga: Prokuroria kërkon shpalljen fajtor të Thaçit dhe dënimin me 6 vjet burg

Gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin. Kjo është kërkesa e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, në ditën e parë të deklaratave përmbyllëse në rastin për pengim të drejtësisë. Prokuroria kërkoi që ish-presidenti i Kosovës të shpallet fajtor, ndërsa për katër të bashkëakuzuarit kërkoi gjithashtu dënime me burg. Prokuroria i kërkoi gjykatësit Christopher Gosnell që dënimi i parashikuar për Thaçin të vuhet pas çdo dënimi tjetër që mund t’i shqiptohet në rastin kryesor për krime lufte.

“Bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh, Prokuroria ju kërkon të jepni një vendim siç është kërkuar, konkretisht për Hajredin Kuçin nëntë muaj burgim, për Fadil Fazliun 3 vjet burg , Për Isni Kilaj 3 vjet burg, për Bashkim Smakaj 3 vjet burg dhe për Hashim Thaçin 6 vjet burgim, që do të  vuhet pas çdo dënimi tjetër që mund t’i shqiptohet.” – Joshua Hafetz, Prokuror special në Hagë.

Këto mbeten vetëm kërkesat e Prokurorisë. Vendimi do të merret nga gjykatësi. Prokuroria argumentoi se Thaçi dhe të bashkëakuzuarit tentuan të ndërhynin në dëshmitë e personave që pritej të dëshmonin në procesin kryesor për krime lufte. Sipas saj, incizimet dhe dokumentet e marra dëshmojnë përpjekjet për të ndikuar tek dëshmitarët dhe për të orientuar dëshmitë në një mënyrë që do të minimizonte përgjegjësinë e Thaçit.

“Duke qenë në paraburgim, Hashim Thaçi udhëzoi të bashkakuzuarit, që të shënjestronin dëshmitarë, dëshmia e të cilëve, sipas tij ishte vendimtare për përfundimin e kësaj çështje gjyqësore për krime lufte. Thaçi formoi grupe të vogla, me të bashkakuzuarit të cilët kishin njohje me dëshmitarë të caktuar. Synimi i tyre ishte ta bëjnë dëshminë në mënyrë të atillë që të pajtoheshin me Thaçin për mënyrën se si duhej të ishte dëshmia e tyre. Ai dha udhëzime të hollësishme sa i takon hierarkisë së UÇK-së, dhe se kujt i duhej atribuuar autoriteti në vend të Thaçit.” – Kimberly West, Prokurore speciale në Hagë.

Mbrojtja e Thaçit tashmë ka nisur paraqitjen e argumenteve të saj përfundimtare. Deklaratat përmbyllëse, përskaj asaj të sotshmes, do të zhvillohen në datat 11 dhe 14 shtator. Pas tyre, gjykata do të duhet të vlerësojë të gjitha provat dhe argumentet e palëve para se të marrë vendimin. Vetëm dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, pritet aktgjykimi në procesin kryesor për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Aty Prokuroria ka kërkuar dënime prej 45 vjetësh burgim për secilin. Të katër ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat. /Alsat.mk