Pas 7 vitesh gjykim, Supremja kthen në rigjykim lëndën për tragjedinë në “Llaskarcë”

Gjykata Supreme e ka shfuqizuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit për lëndën e njohur në opinion si “Durmo Turs” apo që ka të bëjë me aksidentin tragjik të Llaskarcës në vitin 2019 ku humbën jetën 16 persona, ndërsa 38 të tjerë u lënduan, njofton Alsat.

Sipas vendimit të Supremes, lënda do të fillojë nga e para dhe me këtë, bie në ujë tërë maratona gjyqësore prej 7 vitesh.

Raportues i lëndës ka qenë gjyqtari Afrim Fidani, ndërsa anëtarë të këshillit Xhemali Saiti, Safet Kadrii, Cvetanka Periq dhe Mirjana Llazarova Trajkovska.

Apeli në prill të vitit të kaluar, ua rriti dënimet me burg të akuzuarve.

Pronarit të kompanisë transportuese “Durmo Turs”, i cili është dhe i akuzuari i parë në këtë lëndë, prej 4 vjet burg Apeli ia rriti në 10 vjet. Me 10 vjet, u dënua edhe i akuzuari i dytë Remzi Miftari, përgjegjës i transportit në kompani, i cili në shkallë të parë ishte dënuar me 6 vjet. Megjithatë, Miftari u arratis dhe ende nuk është i kapshëm për organet e sigurisë. Më tej, udhëheqësit të teknik “AMZ Gostivar” i cili ishte i akuzuar i tretë Igor Gjorgjievski, por edhe kontrollorit si i akuzuar i katërt Goran Dukovski, Apeli ua rriti dënimet prej 5 në 7 vjet.

Ashtu siç kishte kërkuar Prokuroria dënimet nuk kanë ndryshuar për të dyshuarit e pestë dhe të gjashtë, respektivisht kontrollorin teknik Jane Babarovski, i cili në shkallë të parë u dënua me 5 vjet burg, si dhe shoferit të autobus i cili u dënua me 14 vjet burg.

Megjithatë, me këtë vendim, të gjithë këto dënime rrëzohen. /Alsat.mk