Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ashpër lidhur me tekstin e ri të Historisë për klasën e VIII, duke ngritur shqetësime për, siç thotë ai, reduktimin e përmbajtjeve që trajtojnë historinë e popullit shqiptar informon Tetovasot.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lloga thekson se teksti shkollor është përkthyer nga autorë maqedonas dhe nuk ka asnjë autor shqiptar të përfshirë në hartimin e tij.
Sipas tij, nga 6 deri në 8 njësi mësimore që më parë trajtonin historinë e shqiptarëve, tani kanë mbetur vetëm tre, ndërsa në të njëjtën kohë janë shtuar përmbajtjet që lidhen me historinë e Serbisë.
“Nga 6-8 përmbajtje që më parë trajtonin historinë e popullit shqiptar, tashmë kanë mbetur vetëm 3. Në të njëjtën kohë, janë shtuar dukshëm përmbajtjet që i kushtohen Serbisë”, shkruan Lloga.
Ai thekson se kjo ndodh pikërisht në klasën e VIII, ku trajtohet periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilën e cilëson si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Sipas Llogës, reduktimi i këtyre përmbajtjeve nuk është vetëm një çështje teknike apo pedagogjike, por prek mënyrën se si brezave të rinj u prezantohet historia dhe identiteti i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Historia nuk duhet të reduktohet, të përkthehet apo të rishkruhet duke anashkaluar njërin prej popujve themelues të shoqërisë sonë”, thekson ai në reagimin e tij.
Deklarata e Llogës vjen në fillim të vitit të ri shkollor dhe pritet të nxisë debat lidhur me përmbajtjen e teksteve mësimore dhe përfaqësimin e historisë së shqiptarëve në sistemin arsimor.
