Pagat e arsimtarëve do të rriten, por në mars të vitit të ardhëshëm

Puna jonë është të flasim hapur dhe me transparencë për problemet me të cilat përballet. Është fakt se numri i nxënësve të klasës së parë në vend është ulur dhe është fakt se, në mënyrë natyrore, disa shkolla po mbyllen, deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pas reagimeve se shkollat po mbyllen sepse nuk po regjistrohen fëmijë, por edhe për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor dhe bashkimit të paraleleve nga shkollat e degëve në shkolla më të mëdha.

MASH kishte njoftuar më parë se këtë vit janë rreth 3000 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar dhe se, për shkak se nuk janë regjistruar nxënës, nga 1 shtatori po mbyllen përkohësisht 26 shkolla të degëve, ndërsa gjithsej 148 objekte shkollore janë të zbrazëta në vend, kryesisht në zonat rurale. Në vitin shkollor 2026–2027 do të ketë 433 paralele më pak – 222 më pak në arsimin fillor dhe 211 në atë të mesëm – për shkak të bashkimit të paraleleve me pak nxënës, pra riorganizimit të mësimit.

Janevska sot, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas reagimeve, tha se është fakt edhe se – edhe pse masa është e papëlqyer – kjo Qeveri dhe ajo si ministre po bëjnë gjithçka që është në interes të fëmijëve, sepse, tha ajo, situata aktualisht është kritike.

– Morëm masa për t’i socializuar dhe bashkuar fëmijët, kështu që duke bashkuar paralelet, diku mbi 400 paralele de facto janë mbyllur në një farë mënyre, tha Janevska pas vizitës në Shkollën Fillore „Ljuben Lape“ në komunën Aerodrom.

Për mbylljen e shkollave të degëve me numër të vogël nxënësish, ajo përsëriti se nuk është e drejtë që një grup fëmijësh nga pesë deri në nëntë vjeç të jetojnë të izoluar në një shkollë, sepse kështu ata nuk kanë konkurrencë, motiv për të fituar njohuri dhe nuk socializohen me fëmijë të tjerë.

– Në dobi të fëmijëve është të jenë në një grup më të madh, në dobi të fëmijëve është të zhvillojnë empati, të mësojnë si zgjidhen problemet, të shohin kushte më të mira shkollore, të shohin tabelë inteligjente, të marrin tablet, të shoqërohen me fëmijë të tjerë që janë të ndryshëm prej tyre, të mësojnë të respektojnë… Ka shumë arsye përse ne duhet ta bëjmë këtë. Detyra ime është ta bëj këtë, sepse nëse nuk e bëj, me mosveprim i shkaktoj dëm gjithë shoqërisë, para së gjithash fëmijëve. Duhej ta kishim filluar këtë proces shumë më herët që të mos gjendeshim në një situatë kaq kritike. Ne aktualisht jemi në situatë kritike. Po bëjmë gjithçka për ta zgjidhur në mënyrë të qetë dhe pa dhimbje dhe në të njëjtën mënyrë do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, pavarësisht nëse grupe të caktuara, cilatdo qofshin dhe nga vijnë, do të reagojnë, theksoi Janevska.

Ajo theksoi se kjo është bërë me marrëveshje me të gjithë kryetarët e komunave, së bashku me drejtorët e shkollave, për, si tha ajo, „të shohim si t’i zgjidhim këto probleme sa më pa dhimbje“. Theksoi se është e hapur për sugjerime.

– Jemi vazhdimisht në telefon, diku bashkojmë, diku për arsye të caktuara nuk mund ta bëjmë këtë, por ju siguroj se po bëjmë më të mirën. Unë e di se këto janë reforma të dhimbshme, e di se një ministër që bën reforma të tilla ndoshta nuk do të jetë i popullarizuar, por kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është të bëjmë mirë për fëmijët, sepse mbijetesa e këtij shteti varet nga të rinjtë që tani do të zhvillohen. Dhe detyra e shkollave është t’i bëjnë qytetarë të vetëdijshëm dhe të mirë, para së gjithash për veten, e pastaj edhe për të gjithë të tjerët, shtoi Janevska.

Ministrja tregoi edhe për të gjitha masat që po merren për modernizimin e arsimit – po ndryshohen programet mësimore dhe po bëhen investime kapitale për kushte më të mira hapësinore që do të sjellin edhe mësim më cilësor.

– Masat po i marrim, por unë them se nuk mund t’i presim rezultatet nga sot për nesër. Rezultatet e asaj që po bëjmë sot në arsim do të vijnë më së shpejti pas 5-6 vjetësh, ndërsa në mënyrë optimale pas 9 deri në 10 vjet, theksoi Janevska.

Për pagat e mësuesve, ajo edhe sot theksoi se rritjen e re do ta kenë në mars 2027 dhe se kjo është e sigurt dhe në përputhje me marrëveshjen e arritur me SONK.

– Sepse më parë kishte nënshkrime marrëveshjesh, kontrata — do të ketë, nuk do të ketë, kishim edhe grevë. Në këtë rast ata janë të sigurt, nuk duhet të mendojnë për pagat, pagat do të rriten çdo vit. Vitin e ardhshëm në mars përsëri do të rriten pagat e mësuesve, shtoi Janevska duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në Shkollën Fillore „Ljuben Lape“ në Aerodrom.