Ditmir Hoxha prezantohet te Leeds United, nënshkruan kontratë katërvjeçare

Ditmir Hoxha, nga sot është zyrtarisht futbollist i ri i skuadrës angleze të Premier League, Leeds United.

Hoxha prej disa ditësh ndodhet në Leeds, ku ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare.

Fillimisht, Hoxha do të luajë për ekipin U21 të Leeds United, ndërsa do të ketë mundësinë të bindë edhe trajnerin Daniel Farke për t’u bërë pjesë e ekipit të parë të klubit që garon në Premier League.

Transferin e Hoxhës e realizuan menaxherët e tij të futbollit, Alban Sulejmani dhe Deni Bara. Hoxha te Leeds vjen direkt nga skuadra e Rabotniçkit, ku luajti gjatë sezonit të kaluar. Hoxha është gjithashtu pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë U19. Detajet financiare të transferimit nuk janë bërë të ditura.

Jo shumë kohë më parë, te Leeds luante edhe reprezentuesi maqedonas Ezgjan Alioski, ndërsa më herët në klube të Anglisë kanë luajtur edhe Goce Hristov, Goce Sedlloski, Artim Shaqiri, Veliçe Shumulikoski, Goran Popov.