Lista preliminare e Akademisë Ushtarake në Shkup për pranimin e kadetëve të rinj përmban 46 kandidatë, nga të cilët vetëm një është shqiptar. Aleanca për Shqiptarët e konsideron këtë si dëshmi të përfaqësimit të pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionin që përgatit kuadrot e ardhshme të Forcave të Armatosura.
Nga ASH-ja kritikojnë edhe VLEN-in, i cili është pjesë e Qeverisë dhe ka përfaqësues edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, duke e akuzuar për heshtje dhe mungesë angazhimi për rritjen e përfaqësimit të të rinjve shqiptarë në sektorin e mbrojtjes. “Të jesh në pushtet, të thirresh në përfaqësim të shqiptarëve dhe të mos jesh në gjendje të sigurosh përfaqësim elementar për bashkëqytetarët e tu shqiptarë nuk është pushtet, por është vetëm dekor”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Sipas tyre, VLEN-i, si pjesë e pushtetit dhe duke pasur edhe pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes, është dashur të ndërmarrë hapa konkretë për të nxitur, lehtësuar dhe mbështetur aplikimin e të rinjve shqiptarë në Akademinë Ushtarake. “Me qëllim të rritjes së numrit të shqiptarëve në mbrojtje, kjo listë preliminare është dëshmi e qartë se nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim dhe kjo padyshim se është dështimi i radhës i VLEN-it”, thekson ASH.
Aleanca për Shqiptarët kërkon sqarim të menjëhershëm nga Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake, si dhe përgjegjësi politike nga përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri. “Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por përfaqësim të drejtë, të barabartë dhe dinjitoz në institucionet e shtetit”, përfundon reagimi.
