MPB-ja alarmon qytetarët: Kujdes nga SMS-të e rreme të “Qytetit të Sigurt”, mund t’ju vjedhin të dhënat bankare

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka paralajmëruar qytetarët për një valë të re sulmesh phishing, përmes mesazheve të rreme SMS dhe postës elektronike, të cilat pretendohet se dërgohen nga sistemi “Qyteti i Sigurt” njofton INA.

Në mesazhet mashtruese përfshihet një lidhje e rreme, përmes së cilës qytetarët udhëzohen të paguajnë një gjobë të pretenduar për shkelje në komunikacion. MPB-ja u bën thirrje qytetarëve të mos hapin lidhje të dyshimta dhe të mos vendosin të dhënat e kartelave bankare, fjalëkalimet apo të dhëna të tjera personale në faqe të panjohura.

Nga MPB-ja sqarojnë se njoftimet autentike SMS për shkeljet në trafik duhet të dërgohen nga emërtimi “MVR-SC” dhe të përmbajnë edhe targën e automjetit.

Institucioni rekomandon përdorimin e autentifikimit me dy faktorë për llogaritë online, si dhe raportimin e menjëhershëm të mesazheve të dyshimta tek institucionet kompetente ose bankat.

Ndërkohë, Sektori për Krim Kompjuterik po vazhdon hetimet për identifikimin dhe sanksionimin e autorëve të këtyre tentativave për mashtrim.