Mesazh i fortë nga funerali i Khameneit: Do të ndëshkohen vrasësit!

Gjatë ceremonisë mortore në Teheran, Naser Makarem Shirazi deklaroi se përgjegjësit për vdekjen e ish-Udhëheqësit Suprem do të përballen me “ndëshkim hyjnor dhe të drejtë”, ndërsa u bëri thirrje iranianëve të mos e konsiderojnë të mbyllur konfliktin.

Një prej klerikëve më të njohur shiitë të Iranit, Naser Makarem Shirazi, deklaroi gjatë ceremonisë mortore të Ali Khameneit në Teheran se personat përgjegjës për vrasjen e ish-Udhëheqësit Suprem nuk do t’i shpëtojnë asaj që ai e quajti “ndëshkim hyjnor dhe ndëshkim i drejtë”.

Në fjalën e tij, Shirazi u bëri thirrje iranianëve të mos mendojnë se lufta ka përfunduar, duke theksuar se përballja me atë që e quajti “fronti i arrogancës” do të vazhdojë. Deklarata u interpretua si një mesazh i qartë për vijimin e retorikës së konfrontimit nga udhëheqja fetare iraniane.

Ceremonitë mortore për Ali Khamenein po zhvillohen në Teheran disa muaj pas vrasjes së tij në sulmet që shënuan nisjen e luftës mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Autoritetet iraniane kanë organizuar një program disaditor ceremonish, ndërsa në kryeqytet janë mbledhur turma të mëdha qytetarësh dhe zyrtarësh për t’i dhënë lamtumirën ish-liderit suprem.

Turma iranianësh të cilat vajtuan ish-liderin Suprem kanë mbushur vendin ku po mbahet ceremonia, madje edhe gjatë natës. Rrjeti hekurudhor iranian i metrosë tha se kishte regjistruar 7 milionë pasagjerë në pak orë.

Trupi i Khameneit do të dërgohet në disa vende të shenjt dhe më pas do të kthehet në Teheran të enjten për një tjetër procesion në Mashhad, për t’u varrosur pranë varrit të një tjetër imamit mesjetar shiit.