ESHS: Inflacioni në 5.7% në prill, brenda një viti çmimet e ushqimeve u rritën për 8%

Enti Shtetëror për Statistika njofton se inflacioni në Maqedoninë e Veriut është duke u rritur ndjeshëm.

“Indeksi i çmimeve të konsumit në prill 2026 në krahasim me prillin 2025 është rritur me 5.7 përqind, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë është rritur me 5 përqind”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Statistikës.

Në bazë mujore, rritja më e lartë ishte në transport, me 10.1 përqind, dhe inflacioni i matur përmes indeksit të çmimeve të konsumit në prill 2026, krahasuar me marsin 2026, ishte 1.3 përqind.

“Në prill 2026, krahasuar me marsin 2026, një rritje e kostos së jetesës u regjistrua në grupet e mëposhtme: transporti me 10.1 përqind, rekreacioni, sporti dhe kultura me 1.4 përqind, pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 1.2 përqind, ushqimi dhe pijet joalkoolike me 0.7 përqind, veshmbathjet dhe këpucët, kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat dhe shërbimet e ndryshme dhe informacioni dhe komunikimi me 0.6 përqind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 0.4 përqind, strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse, shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe arsimit me 0.3 përqind”, thuhet në deklaratën e ESHS-së.

Rënia e inflacionit në prill 2026 krahasuar me marsin 2026 është rezultat i një rënieje të kostos së jetesës në grupin e mallrave shtëpiake, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes së rregullt të shtëpive me 0.2 përqind.

Në bazë vjetore, rritja më e lartë u regjistrua në pijet alkoolike, 10.2 përqind, dhe në ushqim me 8 përqind.