Irani ka mbyllur sërish ngushticën e Hormuzit, vetëm një ditë pas njoftimit për hapjen e saj. Autoritetet iraniane akuzojnë SHBA-në për shkelje të marrëveshjes për Hormuzin. Në deklaratën e shtabit ushtarak të Iranit, thuhet se Ngushtica është kthyer në gjenden e mëparshme, për shkak se SHBA-të kanë refuzuar të heqin bllokadën detare të porteve të Gjirit iraninan.
“Për sa kohë që Shtetet e Bashkuara nuk lejojnë lirinë e plotë të lëvizjes për anijet nga Irani drejt destinacioneve të tyre dhe nga destinacionet e tyre drejt Iranit, situata e Ngushticës së Hormuzit do të mbetet nën kontroll të rreptë dhe në gjendjen e saj të mëparshme”, deklaruan nga Shtabi ushtarak i Iranit.
Presidenti amerikan Tramp deklaroi më herët se ka lajme të mira në negociatat me Iranin, duke hedhur poshtë madje edhe idenë për tarifa në Ngushticën e Hormuzit. Ai nënvizoi se gjatë fundjavës do të ketë negociata.
“Duket se gjërat po shkojnë shumë mirë në Lindjen e Mesme me Iranin. Do ta dimë pas një periudhe të shkurtër kohe. Po negociojmë gjatë fundjavës. Dhe siç e dini, kemi bllokadën, dhe ajo ka qenë shumë e suksesshme. Po aq e suksesshme kanë qenë edhe pesë javët para bllokadës. Kombinimi ka qenë mjaft i fortë, do të thosha. Pra, do të marrim vesh shumë shpejt. Por po i diskutojmë këto çështje dhe pres që gjërat të shkojnë mirë. Shumë nga këto çështje janë negociuar dhe janë rënë dakord”, tha Donald Trump, President i SHBA-së.
CNN, duke cituar burime iraniane, raportoi se delegacionet do të mbërrinin në Islamabad gjatë fundjavës dhe se bisedimet zyrtare do të rifillonin më 20 prill. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi atë raport. Më 11 dhe 12 prill, nënpresidenti amerikan JD Vance udhëhoqi një delegacion në bisedime me zyrtarë të lartë iranianë në Islamabad. Ato bisedime u ndërprenë pa marrëveshje dhe me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për dështimin./Alsat.mk.
