Korridori VIII, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore, po avancon gradualisht si në komponentin rrugor, ashtu edhe në atë hekurudhor. Korridori synon të lidhë portin e Durrësit dhe Vlorës me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë, duke krijuar një aks strategjik mes Detit Adriatik dhe Detit të Zi
Shkup, 19 shkurt – Korridori VIII, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore , po avancon gradualisht si në komponentin rrugor, ashtu edhe në atë hekurudhor. Korridori synon të lidhë portin e Durrësit dhe Vlorës me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë, duke krijuar një aks strategjik mes Detit Adriatik dhe Detit të Zi. Në aspektin e rrugëve në dhjetor 2029 pritet që nga Shkupi të udhëtohet përmes Qafë Thanës deri në Tiranë me një zgjidhje autostrade, tregon raporti i mbikëqyrjes së progresit të punimeve për nëntor 2025, shkruan gazeta KOHA.
BEHTEL ENKA
Vonesë eventuale mund të shkaktojnë ngecjet në seksionin e tretë Trebenishtë -Qafë Thanë (22 kilometra), ku rruga duhet të rishikohet për të ruajtur statusin e mbrojtur të Liqenit të Ohrit dhe rajonit.
Prilli i 2027-ës duhet të shënojë përfundimin më në fund të aksit prej Kërçove deri në Ohër dhe Strugë. Po punohet në mënyrë aktive për instalimin e shtyllave, themeleve, trarëve për ura, mbikalime dhe nënkalime për seksionet Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan dhe Prilep – Manastir. Konsorciumi Bechtel dhe Enka, kontraktori për seksionet autostradale të korridoreve 8 dhe 10d (Tetovë-Gostivar, 18 kilometra), (Gostivar-Bukojçan, 30 kilometra) dhe (Prilep-Manastir, 40 kilometra), është fuqishëm i angazhuar në ndërtimin e këtyre akseve rrugore, ku janë angazhuar mbi 2,090 persona dhe 1,202 makineri ndërtimi.
Deri më tani, në Seksionin 1, Tetovë-Gostivar, 13 kilometra nga 17.5 kilometra janë të disponueshme për punë, në Seksionin 2, Gostivar-Bukojçan, 9.6 kilometra nga 31 kilometra janë të disponueshme, dhe në Seksionin 4, Prilep-Manastir, 22 kilometra nga 40 kilometra janë të disponueshme.
Katër seksionet e autostradës që janë pjesë e projektit kanë një gjatësi totale prej 109 kilometrash, për të cilat duhet të ndërtohen 24 nënkalime, 34 mbikalime, si dhe ura me një gjatësi totale prej 4,500 metrash. “Në periudhën nga nëntori 2025, Kontraktori vazhdoi të kryejë punime kryesisht në studimet gjeoteknike, projektimin dhe përgatitjen e specifikimeve teknike për autostradën, projektet e shpronësimit, menaxhimin e përkohshëm të trafikut, prishjen dhe heqjen e strukturave ekzistuese dhe elementëve të tjerë të rrugës, si dhe aktivitete ndërtimi kryesisht për punime dheu, kullim dhe objekte”, shpjegoi Mbikëqyrja e Projektit.
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli për programin e dytë të servisit publik theksoi se Autostrada Kërçovë-Ohër pritet të hapet në tremujorin e parë të vitit 2027. ”Janë shtyrë vetëm tre muaj për shkak të problematikave që kemi hasur në pjesën e Botunit, për shkak të reshjeve të dheut. Kushtet klimatike në vjeshtë dhe dimër, me lagështinë që krijohet, kanë shkaktuar situata të tilla. Ne e kishim parashikuar që ndoshta do të nevojiteshin edhe tre muaj shtesë, por kjo nuk do të thotë se ekipet nuk janë në terren apo nuk po punojnë. Përkundrazi, mund të ndodhë që projekti të përfundojë edhe më herët se sa ishte planifikuar”, shtoi Zekolli. Sipas saj, autostrada Shkup-Bllacë pritet të përfundojë deri në vitin 2028.
Projekti i shumëpërfolur në opinion nga Kërçova deri në Ohër nga fillimi i ndërtimit në maj të 2014, ka probleme të shumta. Sipas arsyetimit të institucioneve kompetente, zgjatja është kryesisht për shkak të zgjidhjes së çështjeve pronësore juridike, gabimeve në projektim dhe lëshimeve të tjera, siç janë hyrje daljet në autostradë.
HEKURUDHA
Edhe problemet në ndërtimin e hekurudhës nga Kumanova në drejtim të Bullgarisë janë tejkaluar dhe po punohet që ai më në fund të jetë në funksion. Drejtori i NP “Infrastrukturë Hekurudhore”, Sinisha Ivanovski, njoftoi disa ditë më parë në profilin e tij në Facebook se është hapur tuneli i fundit nga gjithsej 15 në ndërtimin e hekurudhës Beljakovce-Kriva Palankë. “Po bëjmë përparim. Këtë mëngjes hapëm tunelin e fundit nga gjithsej 15 në pjesën e dytë të ndërtimit të hekurudhës për në Bullgari (Beljakovcë-Kriva Palankë). Hapja e tuneleve konsiderohet si një nga aktivitetet më specifike të ndërtimit. Dhe në këtë projekt, ky pozicion tashmë është përfunduar. Progresi i kontraktorit për momentin ende nuk është sipas pritjeve, por mund të njoftoj se segmentet më specifike të projektit po kapërcehen ngadalë dhe pres muaj të aktivitetit operativ më serioz dhe përparim të dukshëm”, shkruan Ivanovski në profilin e tij në Facebook.
Korridori 8, shton ai, është me rëndësi strategjike për Maqedoninë dhe NATO-n, dhe si i tillë, po bëhet punë serioze për ndërtimin e tij dhe lidhjen e Adriatikut me Detin e Zi. Qeveria njoftoi fillimin e aktiviteteve për seksionin e tretë dhe më të vështirë të hekurudhës për në Bullgari (Kriva Palanka-kufi), duke aktivizuar një grant nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) prej 3.7 milionë eurosh për rishikimin e projektit bazë dhe përgatitjen e një tenderi. Paralelisht, Sofja në korrik njoftoi një procedurë për një itinerar të ri Gjueshevo-kufi (2.4 km) dhe modernizimin e një pjese të hekurudhës Pernik-Radomir, dhe Komisioni Evropian njoftoi se të dyja palët riafirmuan afatin për përfundimin e korridorit.
Në fazën e tretë, në anën maqedonase, janë planifikuar afërsisht 23-24 kilometra rrugë të re me 22 tunele (përfshirë një ndërkufitar) dhe 52 ura; është planifikuar gjithashtu elektrifikimi i të gjithë seksionit lindor nga Kumanova deri në kufi (afërsisht 88 km). Paketa totale financiare për këtë fazë, e ofruar përmes iniciativës Global Gatevay (EU/EIB/BERZH – Ekipi i Evropës), arrin në afërsisht 560 milionë euro.
Korridori 8 është një prioritet dhjetëvjeçar i TEN-T. Aksi hekurudhor lindor në territorin e Maqedonisë së Veriut po ndërtohet në tre faza: Kumanovë-Beljakovcë (rreth 30.8 km): rehabilitimi është përfunduar dhe seksioni është funksional. Beljakovcë-Kriva Palankë (rreth 34 km) ku ndërtimi ka përparuar dhe Kriva Palankë-kufi (rreth 23–24 km): faza e tretë me 22 tunele/52 ura dhe një tunel ndërkufitar. Projekti mbështetet sistematikisht nga BE, Banka Evropian e Investimeve dhe BERZH.
Autoritetet në Maqedoni kanë njoftuar për planet për rindërtim të plotë, modernizim dhe elektrifikim të hekurudhës ekzistuese Shkup-Kërçovë. Ministri i transportit Aleksandar Nikolloski njoftoi një grant prej 5.3 milionë eurosh nga BE-ja për studime fizibiliteti, me BERZH-in si institucionin kryesor që do të zgjedhë një konsulent. “Në një vit e gjysmë të ardhshëm, duhet të përgatiten studime fizibiliteti, mjedisore dhe të tjera, dhe pas kësaj ndërtimi do të zgjasë 2 deri në 2.5 vjet. Brenda katër vjetësh duhet të kemi një hekurudhë tërësisht të rindërtuar dhe të elektrifikuar nga Shkupi në Kërçovë”, tha ministri Nikolloski vitin e kaluar.
Hekurudha Kërçovë-Lin (nëpërmjet Strugës) do të zgjasë deri në gjashtë vjet vetëm për projektin bazë. Vlera e vlerësuar është rreth gjysmë miliardi euro, gjatësia është rreth 70 km, me kompleksitet të lartë inxhinierik (analizat e vjetra tregonin 63 km, 49 ura dhe 13 tunele, dy stacione kryesore dhe dy më të vogla).
Në komponentin rrugor, gjatë këtij viti pritet përmbyllja e disa loteve në segmentin Elbasan-Qafë Thanë. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, përveç lotit I, që është tashmë i përfunduar, brenda vitit synohet mbyllja e fazave II, III dhe V, të cilat përfshijnë segmentin nga Labinot-Fushë deri në Librazhd. Faza V parashikon ndërtimin e tunelit, i ndarë në dy segmente, njëri prej të cilëve nis pas urës së Murrashit, duke lidhur drejtpërdrejt fazën III me vijimin e aksit. Në total, në drejtimin Elbasan-Qafë Thanë janë 8 kontrata që mbulojnë 26 kilometra. Paralelisht, brenda vitit 2026 pritet të përfundojnë edhe 6 lote të tjera në drejtimin Elbasan-Rrogozhinë, që mbulojnë rreth 20 kilometra nga 40.7 km gjithsej. Pas përfundimit, aksi do të jetë rrugë interurbane e kategorisë B, me nga dy korsi për secilin drejtim dhe shpejtësi të lejuar nga 90 deri në 140 km/orë.
Në frontin hekurudhor, segmenti Durrës – Rrogozhinë konsiderohet projekti më i afërt drejt realizimit. Financimi prej 120.5 milionë eurosh është siguruar përmes një granti prej 60.5 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe dy kredive nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës 33.5 km pritet të përfundojë në vitin 2028, duke mundësuar shpejtësi trenash deri në 120 km/h dhe përafrim me standardet europiane.
Ndërkohë, aksi Rrogozhinë-Pogradec, me gjatësi 120.3 km, ndodhet në fazën e përgatitjes së projektit të detajuar, që pritet të përfundojë në mars 2027. Ky proces financohet nga një grant i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa pas maturimit të projektit pritet aplikimi për grant dhe kreditë përkatëse. Me një gjatësi totale prej 153.8 km në territorin shqiptar, komponenti hekurudhor i Korridorit VIII synon të reduktojë kostot e transportit, të rrisë sigurinë dhe të ulë emetimet, duke e përfshirë Shqipërinë në një rrjet multimodal rajonal.
Ndryshe të mërkurën, Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut ,Bullgarisë, Italisë, dhe Rumanisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke riafirmuar angazhimin e tyre për zhvillimin e Korridorit VIII si një arterie strategjike që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Deklarata nënvizon rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal dhe lehtësimin e flukseve tregtare, përmirësimin e efikasitetit logjistik dhe forcimin e zinxhirëve të furnizimit ndërmjet vendeve pjesëmarrëse. Përmes këtij projekti, vendet synojnë gjithashtu të stimulojnë rritjen e qëndrueshme, konkurrueshmërinë dhe ndërlidhjen ndërmodale, duke përfshirë edhe mbështetjen për dekarbonizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ritheksojmë se Korridori VIII ka domethënie strategjike me rëndësi politike, ekonomike dhe të sigurisë, duke kontribuar në kohezionin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. (koha.mk)
