“Xha, hudhe nje dinar!”: Çiçe fërli dinar!
Katër qoshet e urës së shëtitores, korzos: nën kontroll të Tingër-mahallës së famshme, Karaormani, Edinstvoja, Skopska ! 😁
Gurët guronin nga valët e bukura të liqenit që i shtynte dhe rrokulliste era e jugut. Ashtu të vogla, gurriçkat vallëzonin nën tingujt e gëzueshëm të lojërave fëmijërore buzë liqenit me ujë të kthjellët, plot me peshq dhe jetë. Në mes të qytetit një lum që sillte bukuri të posaçme, freski por dhe shumë hare për femijet dhe te rinjtë e Strugës. Qytet i bekuar me Liqen përrallor nga i cili lind një lum, Drini i zi. Aty u ritëm shumë nga ne, buzë Drinit të zi, mbase një emër i çuditshëm për një lum të thellë e të shpejt, që mban në mend dashuri, gëzim, romansa, poezi e shumë gjëra tjera.
Drini i zi cdo vit grumbullon poetët e botës dhe ata ne ditën e poezisë recitojnë poezi mbi Urën e poezisë, por asnjë poet ose artist nuk do mund me saktësi të tregojë se çka parë e dëgjuar ai lum. Unë do ju tregoj vetëm një sekuencë të vockël e cila do i ringjall emocionet nostalgjike të Struganëve.
“Xha, hudhe nje dinar!” dëgjohesh zëshëm kjo frazë nga katër anët e urës së shëtitores, Korzos, siç e quanim ne në Strugë. Zëri i lartë i fëmijëve kur përdornin atë frazë sikur i paralajmëronte atraksion të pa parë turistëve dhe kalimtarëve të rastit mbi urën e korzos. Normal, nuk duhej shumë kohë ta kuptonin se duheshte ta fusin dorën në xhep dhe të nxjerrin nga ndonjë monedhë e ta hedhin nga ura në lum. Atëherë ndodhte mrekullia e shumëpritur, të rinjtë nga gjithë anët e lumit zhyteshin nën ujë për ta kapur monedhën. Nga lartë shihej spektakël, dhjetëra të rinj si valltarë të nënujor krijonin një koreografi mbreslënëse lëvizjesh nën ujë. Gjersa turistët rinin gojë hapur të çuditur se sa gjatë rin nën ujë këto të rinjë dhe sa të zhdërvjellët janë ata me lëvizjet e tyre nën ujë, personi që e kapte paren me gjoks të fryrë si gjel krenohesh nga lëvdatat e shokëve. i grumbullonin paratë e mbledhura aty nën peshqir, në një vend për të gjithë. Maskat ose syzet e ujit nuk duheshin fare, mbase ishin dhe luks asi kohe.
I kishin ndarë mahallat katër qoshet e urës së shëtitores, korzos: Tingër-mahala e famshme, Karaormani, Edinstvoja, Skopska. Gjithë mahallat, lagjet, kishin nga një pikëtakim të caktuar buzë lumit. Aty kalonim gjithë ditën e gjatë, gjer sa s’na mjeguloheshte shikimi dhe skuqeshin syre nga zhytjet e shumta me sy hapur nën ujë, ose s’na vinte ndonjë prind të na përmbledh në shtëpi me zor. Oh sa na rexheshte lëkura !
Nuk kacafyteshim po prisnin fatin të grumbullojmë ndonjë lek qejfi, nga turisti kurioz që dëshironte të shikojë se si dhjetra fëmijë zhyteshin për ta kap monedhën e hudhur në ujë.
I ndalte kurioziteti turistët holandez, gjerman e ku ta di une se çfarë. Ndaleshin në mes të urës dhe me sy të spikatur dhe shumë kureshtje i qaseshin njërës anë të urës, zakonisht asaj qe bërtiste më shumë “Xha, hidhe një dinar”, ose me sakte “Çiçe fërli dinar” në maqedonisht. Hudhnin ndonjë monedhë, dinar ose markë gjermane në lum dhe …. këlltuç, fëmijët nga gjithe anët e lumit zhyteshin në të njëjtën kohë për ta kapur paren, monedhen që fundoseshte duke bëre lëvizje të pa koordinuara në ujin e rrjedhshëm dhe të thellë të lumit. Ishte shumë rëndë ta kapish paren në ujë. Se keni idenë si bie një monedhë nën ujë, një far llojë forme vertikale te zik-zakut të çrregullt vertikal. Ata që mundeshte ta mbajnë frymën më tepër, mbase e nxirrnin monedhën edhe thellë nga fundi, nëse e gjenin nën resa, barishtet e gjata të lumit.
Mblidhnim mjaftueshëm për ta blerë nga ndonjë akullore te “Beogradi”, restorani në qosh të urës, ose po ndonjë qebap dhe çerek buke “cetvrt” me Zdenkë (djath). Paratë e grumbulluara ishin për të gjithë shoqërinë. U bë hobi I gjithë fëmijëve dhe të rinjëve të mëhallës, ngritja që në mëngjes dhe zhytja për para.
Aty te ura i dinim gjithë detajet. Bënim akrobacione duke u hedhur nga ura, duke i shpëlarë me ujë kaluesit e rëndomtë me nga ndonjë “Qypqe”. Ah qypçeja ishte se çka ishte! Dush për turistët naiv dhe kalimtarët mbi urë që hetoheshin nga bukurija e Strugës, romansa e sajë.
Macho meshkujt, ata me të guximshmit flertonin me turistet e bukura duke bëre salto që nga ura, si dhe duke u hudhur me gjoks në lum, “taklla” e quanim ne. Disa më të prirë për gjimnastika i kapërcenin hekurrat e urës dhe hidheshin taklla në lum, përplasje me kokë në ujë.
Vajzat Strugane tregonin shpejtësinë, elegancën dhe guximin në kercimet e tyre në lum nga ura. Nuk e di, po mbase edhe nga noti të gjitha ishin shumë të bukura dhe të forta, a ne meshkujt me xhelozi i mbronim të mos i afrohet ndonjë. Aty s’kishte dallim se kush çka është, mashkull ose femër, i vogel i madh, kështu ose ashtu, gjithë kishim ardhur për qejf. Shpesh çuditeshin dhe na shpërblenin me nga ndonjë aplaudim turistët.
Në mesditë kur turistët shpelodheshin ne numëronin monedhat e grumbulluara dhe bënim plane sibti harxhojmë.
Më pas, mblidhnim dhe tapa ose “kapaçe” të pijeve freskuese që shërbeheshin nëpër restorantet tradicionale të qytetit. Ashtu të grumbulluara nga 20-30 copë i hudhnim në mes të urës …. dhe nga të dy anët e lumit kërcenin nga 10-15 veta që të kapin sa më tepër “kapaçe”. Fituesi shperbleheshte me krenarinë e titullit “zhytësi më i mirë”. “Kapaqet” kundrejt monedhave, binin në ujë shumë ngadalë dhe përherë në anën e bardhë mbyllëse. Duke u zhytyr ngatroheshim nëpër resat e gjata, barishtet, ku fshiheshin: akrepat, gjarpërinjtë, guacat, njalat, peshqit dhe gjallesat që sot nuk e kanë habitatin aty nga ndotja e madhe.
“Si i pari ashtu të tjerët” dhe shumë lojra tjera në ujë si duket do mbesin vetëm nëpër memorien e gurrëve dhe pllakave buzë Drinit të zi, mbase edhe ndonjë poezi do recitohet në përkujtim të asaj kohe.
Ushtronim dhe argëtoheshim gjer sa nuk na perzente i ftohti ose nata. Ahhh… do haroja, luanim “Peç” të katër mahallat. Oh, ishte dicka e shkëlqyer dhe e lodhshme. Fsheheshim, nxitonim, hudheshim, notonim dhe bienim ne dashuri.
Në atë kohë kur romansa më e madhe ndodhte në varkat e drurit me lopata, që tani nuk janë më, I kishte hije Struganit të peshkoj, të këndoj këngë qytetare në tavolinat e kafeneve dhe me pasion të flas për erën e jugut që i sillte njalat.
Në atë kohë atrakcion më I madh ishte shterja e Drinit për pastrim të shtratit dhe prerje të barishteve ujore. Dilnjin njalat dhe I kapnim me duar dhe “kanxha”. Mbushnim thesë me njala dhe peshq. Tani mbushemi me mlef nga mospasja e ardhmërisë së sigurtë dhe politikës së kabur. Tani në vend se ta presim jugun presim tollovinë e radhës.
Tek sa e përmbyll tekstin më kujtohen djemtë e mi që nuk kanë mundësi ta shijojnë Strugën ashtu si unë. Varkat dhe rrjetat e peshkimit u zevendesuan me rrjetet sociale, peshkimi me politikë, buzë Drinit tavolina kafeneshë, Struga bosh !
Albert Hani
