Përplasje në Kuvend për buxhetin e ri, opozita kritikon deficitin mbi 720 milionë euro

Vazhdon praktika e shumicës parlamentare për mospranimin e amendamenteve të opozitës në Komisionin për Financim dhe Buxhet në Kuvend, ku po shqyrtohet Buxheti për vitin 2027. Edhe në seancën e sotme, vërejtjet e opozitës hasën në vesh të shurdhër.

Për Buxhetin e vitit të ardhshëm janë dorëzuar rreth 400 amendamente, ndërsa partitë opozitare kërkojnë ndryshime në ndarjen e parave për fusha të ndryshme. E Majta kundërshtoi arsyetimin e përdorur për refuzimin e amendamenteve, sipas të cilit kërkesat e njëjta nuk janë realizuar as gjatë shtatë viteve të kaluara. Ai tha se përgjegjësia për politikat e gabuara buxhetore duhet të shihet në një periudhë shumë më të gjatë.

“Ndoshta do të vazhdojë praktika e njëjtë nga zëvendësministri, që amendamentet nuk po pranohen me arsyen se pse nuk i keni bërë për shtatë vite. Po pse nuk i keni bërë për 35 vite? Ne kemi buxhet proaktiv për shtetin tonë dhe për 35 vite kemi buxhet të gabuar, kemi humbur dhe nuk u kemi dhënë qytetarëve tanë atë që duhet”, deklaroi Amar Mecinoviq, “E MAJTA”.

Nuk pranuan as amendamentet e LSDM-së për themelimin e qendrave për zhvillimin e bizneseve.

“Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, në programin tonë janë paraparë 40 milionë denarë për ndërmarrësi. Këto para janë të dedikuara për themelimin e një qendre biznesi për zhvillimin e ndërmarrësisë në Kavadar. Qëllimi i kësaj qendre është të ofrojë mbështetje për personat që duan të ndërmarrin iniciativa biznesi, veçanërisht për ndërmarrësit e rinj”, tha Mitko Trajçuleski, LSDM.

Propozim-Buxheti për vitin 2027 parasheh të ardhura të përgjithshme prej rreth 6,43 miliardë eurosh, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në rreth 7,16 miliardë euro. Deficiti buxhetor parashihet të arrijë në rreth 732 milionë euro, apo 3,5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Qeveria parasheh rritje ekonomike prej 3,8 për qind dhe inflacion prej 3,2 për qind për vitin e ardhshëm. Në Buxhetin e vitit 2027 janë paraparë rreth 332 milionë euro më shumë të ardhura se në vitin 2026. Shpenzimet janë rritur për rreth 426 milionë euro, ndërsa deficiti buxhetor është më i lartë për rreth 94 milionë euro. Për investime kapitale, dallimi është shumë më i vogël, vetëm rreth 11 milionë euro më shumë se në buxhetin e vitit 2026./Alsat.mk.