Çdo i katërti qytetar i Maqedonisë së Veriut mendon të migrojë

Edhe pse qytetarët e Maqedonisë së Veriut ndihen më të sigurt se mesatarja rajonale, emigrimi mbetet ndër shqetësimet më të mëdha. Sipas hulumtimit të RCC-së, 26,1% e qytetarëve mendojnë për largim jashtë vendit.

Edhe pse qytetarët e Maqedonisë së Veriut ndihen më të sigurt se mesatarja e rajonit, pasiguria ekonomike, kostot e jetesës dhe mungesa e perspektivave vazhdojnë të nxisin mendimet për largim jashtë vendit. Të dhënat e hulumtimit SecuriMeter 2026 të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) tregojnë se 26,1 për qind e qytetarëve të vendit kanë ndonjë qëllim për t’u emigruruar, ndërsa depopullimi dhe emigrimi janë ndër shqetësimet më të mëdha shoqërore.

Hulumtimi tregon se 14,2 për qind e qytetarëve kanë plan të pacaktuar për largim, 6,2 për qind kanë tashmë plan të detajuar, ndërsa 5,7 për qind po ndërmarrin hapa konkretë për të emigruar jashtë. Nga ana tjetër, 68,1 për qind e të intervistuarve thonë se nuk kanë ndërmend të largohen nga vendi.

Krahasuar me mesataren e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, ku 29,3 për qind e qytetarëve mendojnë për emigrim, Maqedonia e Veriut është pak më poshtë mesatares rajonale. Megjithatë, përqindja e qytetarëve që tashmë po ndërmarrin hapa konkretë për largim është ndër më të lartat në rajon. Sipas këtij treguesi, vendi është menjëherë pas Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë.

Të rinjtë mbeten më të gatshëm për largim

Të dhënat për të rinjtë në rajon janë shqetësuese. Hulumtimi tregon se 58,1 për qind e të rinjve të moshës 18 deri në 24 vjeç në Ballkanin Perëndimor mendojnë të jetojnë ose të punojnë jashtë, ndërsa 28,7 për qind kanë tashmë plan të detajuar ose po ndërmarrin hapa konkretë për largim.

Gjithashtu, 80,1 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut e përmendin depopullimin dhe emigrimin si problem serioz. Ky është ndër tre çështjet që i shqetësojnë më shumë, menjëherë pas kostove të jetesës dhe inflacionit, të cilat i përmendin 93,8 për qind e të intervistuarve, dhe situatës së vendeve të punës dhe pagave, që i shqetësojnë 81,7 për qind.

Hulumtimi tregon gjithashtu se vetëm 31,7 për qind e familjeve mund të mbulojnë një shpenzim të papritur prej 1.000 eurosh pa u borxhuar ose pa ndihmë nga persona të tjerë./DW