Shqipëria mposht 2 me 0 Finlandën

Screenshot

Kombëtarja Shqiptare ka marrë një fitore të merituar 2-0 ndaj Finlandës në stadiumin “Air Albania”, në një ndeshje ku kuqezinjtë dhuruan një paraqitje dinjitoze dhe treguan se e kërkonin me çdo kusht fitoren.

Protagonistët e mbrëmjes ishin Ernest Muçi dhe Rey Manaj, të cilët vulosën suksesin e Shqipërisë me nga një gol spektakolar.

Në minutën e 35-të, Muçi realizoi një kryevepër të vërtetë, duke lëshuar një goditje fantastike me të djathtën nga krahu i djathtë i zonës, që përfundoi në cepin e sipërm të portës finlandeze. Një gol që ndezi stadiumin dhe i dha avantazhin kuqezinjve.

Vetëm pesë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, në minutën e 50-të, erdhi edhe goli i dytë. Elseid Hysaj krosoi në mënyrë perfekte nga krahu, ndërsa Rey Manaj u shkëput bukur në zonë dhe e dërgoi topin në rrjetë me kokë, duke dyfishuar shifrat në 2-0.

Shqipëria administroi avantazhin deri në fund, ndërsa Finlanda e mbylli takimin me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Miro Tenho në minutën e 67-të.

Me këtë fitore, kuqezinjtë shkojnë në kuotën e 12 pikëve dhe përforcojnë vendin e parë në Grupin C1, të ndjekur nga Bjellorusia me 10 pikë. Finlanda mbetet në kuotën e 7 pikëve.

Tashmë gjithçka do të vendoset të dielën, në përballjen direkte me Bjellorusinë. Shqipërisë i mjafton edhe një barazim për të ruajtur vendin e parë dhe për të siguruar objektivin e saj në grup. Një fitore e sotme që i jep Kombëtares besim dhe një mundësi të artë për ta mbyllur këtë fazë në krye!