Brukseli nuk është i kënaqur me ndryshimet e Kodit Penal që Maqedonia e Veriut i bëri në janar të këtij viti, me pretendimin se do të zbusnin dëmet e shkaktuara nga ndryshimet e vitit 2023, gjatë qeverisjes LSDM-BDI, kur në mënyrë skandaloze, u ndryshuan nenet për shpërdorimin e detyrës zyrtare, duke liruar nga përgjegjësia dhjetëra funksionarë të dyshuar për korrupsion.
“Ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal në lidhje me veprat penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe bashkëpunimit kriminal nuk i adresojnë si duhet pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023 dhe kanë kontribuar në pasiguri juridike”, theksohet në raport.
Përveç që nuk kanë adresuar çështjet e rëndësishme, ndryshimet e Kodit Penal vetëm se kanë rritur pasigurinë juridike dhe rritjen e rrezikut që funksionarët sërish t’i shmangen drejtësisë. Prandaj, kërkohet që të sillet urgjentisht Kodi i ri Penal dhe Ligji për Procedurë Penale.
Rastet e këtilla ndikojnë që gjyqësori të vazhdojë të ketë besim mjaft të ulët te qytetarët, ndërsa për këtë kanë faj edhe politikanët. Në raport, thuhet se ndërhyrjet, mbeten problem serioz.
“Deklaratat provokuese nga politikanët e nivelit të lartë që kritikojnë personalisht gjyqtarët dhe prokurorët përbëjnë ndikim të papërshtatshëm dhe cenojnë pavarësinë gjyqësore”, thuhet në raport.
Andrea Stojkovskit nga Instituti “Prespa” mbrëmë në intervistën në Alsat paralajmëroi se edhe nëse bëhen ndryshimet ligjore, bllokada e radhës për Maqedoninë do të jetë për shkak të moszbatimit të reformave në gjyqësor.
“Sundimi i ligjit është një prej çështjeve që thjeshtë nuk mundemi të fshihemi, patjetër duhet të jemi të përkushtuar në mënyrë të vazhdueshme në atë sektor, pasi ka shtete që janë të interesuar për ato elemente dhe pastaj do të kemi bllokadë të re. Edhe nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese mendoj se problemi i ardhshëm që do të përballemi është pikërisht sundimi i ligjit dhe në këtë rast nuk do të jetë asnjëri pre fqinjëve tanë, do të jetë Holanda”, deklaroi Andrea Stojkovski, Instituti “Prespa”.
Në raport Komisioni Evropian gjithashtu nënvizon problemin serioz me mungesën e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat ndikojnë fuqimisht te cilësia dhe efikasiteti. Kritika jepen edhe për buxhetin e ulët për gjyqësor, por edhe për anulimin e konkursit në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
